President serb Aleksandër Vuçiç ka hedhur poshtë akuzat e autoriteteve kosovare se pas shpërthimit të së premtes në kanalin e Ibër Lepencit në veri të Kosovës qëndron Beogradi.
“Ka pasur një tentativë për një sulm të madh hibrid ndaj vendit tonë. Beogradi e Serbia nuk kanë lidhje me ato ngjarje.”
Përmes një konference për shtyp, Vuçiçi tha se autoritetet serbe pas nisjes së hetimeve për zbardhejn e ngjarjes kanë edhe autorë të dyshuar.
“Hetimi do të tregojë se kush e ka urdhëruar. Kemi disa informacione se cili mund të jetë autori.”
E teksa Bashkimi Europian e cilësoi akt terrorist, Presidenti Vuçiç tha se ka ftuar partnerët ndërkombëtarë që të bashkëpunojnë për zbardhjen e të vërtetës.
“Më vjen keq për deklaratën e Borellit. I kam ftuar partnerët amerikanë të kontrollojnë pamjet satelitore. Interesi ynë kryesor është të zbulojmë të vërtetën.”
Sipas Vuçiçit hedhja në erë e kanalit të ujit Ibër-Lepenc në Zubin Potok të Kosovës është inskenim i kryeministrit Albin Kurti. Ai thotë se përmes këtij akti, Kurti donte të fuste ushtrinë në veri dhe të dëmtonte rrugën europiane të Serbisë.
Tv Klan