Tre ndeshjet e Serisë A, të vlefshme për javën e 10-të, prodhuan gola të shumtë.
Nuk prodhoi fitues sfida Parma-Empoli, e cila u mbyll në barazim 1-1. Në këtë takim, titullar ishte edhe mbrojtësi i Shqipërisë, Ardian Ismajli, i cili luajti me maskë, për shkak të një dëmtimi në fytyrë. Lojtari shqiptar, ishte një nga më të mirët për Empolin, që i shkoi shumë afër fitores.
Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të miqve, pas autogolit të Coulibaly në minutën e 35-të. Megjithatë, Parma ia doli të barazojë shifrat në minutën e 80-të me Charpentier. Vendasit kishin mundësinë për të përmbysur rezultatin katër minuta më vonë, por Bonny gaboi nga penalltia.
Lazio fitoi pastër 3-0 ndaj Genoa-s në shtëpi, në një sfidë të luftuar deri në fund. Noslin zhbllokoi takimin në minutën e 21-të, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Pedro dyfishoi shifrat në minutën e 86-të, ndërsa Vecino vulosi takimin në 3-0 në minutën e 94-t. Me këtë fitore, Lazio mban vendin e pestë me 16 pikë, ndërsa Genoa vuan dhe renditet në vendin e 18-të me 6 pikë.
Në sfidën tjetër, Monza dhe Venezia barazuan mes tyre, me rezultatin 2-2. Në këtë takim, të katër golat u shënuan në fraksionin e parë të lojës.
Ellertsson kaloi Venezia-n në avantazh në minutën e 15-të, ndërsa Kyriakopoulos barazoi shifrat në minutën e 23-të.
Ishin përsëri miqtë që kaluan në avantazh në minutën e 39-të, por Djuric riktheu baraspeshën në 2-2 në minutën e 44-t, rezultat me të cilin u mbyll e gjithë ndeshja. /tvklan.al