Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Kryetari i Kuvendit Servet Pëllumbi vendosi ta konsiderojë të pavlefshëm votimin e një dite më parë për projektligjin për statusin e ish-të përndjekurve politikë. Skandali i filmuar edhe nga kamerat e TV Klan vërtetonte mungesën e disa deputetëve në sallë, por në tabelën elektronike figuronin si të ishin prezent dhe votonin pro projektligjit.
Kjo është arsyeja që kryeparlamentari Pëllumbi do të kthejë për rivotim këtë projektligj, pasi nuk plotësohej kuorumi i nevojshëm prej 71 deputetësh.
“Kryetari i Kuvendit, zoti Servet Pëllumbi, nisur nga disa shqetësime për kuorumin për votimin e projektligjit për të përndjekurit nga regjimi komunist, vendosi që ta anulojë vendimin e mbrëmshëm, ta konsiderojë atë të pavlefshëm dhe procedura e votimit të këtij projektligji, të përsëritet në një nga seancat e ardhshme”.
Votimin e kontestoi edhe opozita, me anë të kryetarit të grupit parlamentar Bamir Topi, duke verifikuar tabelën elektronike.
Bamir Topi: “Pas largimit të opozitës në bllok dhe pas mungesës së disa parlamentarëve të mazhorancës, apo të grupeve të tjera është bërë një votim në të cilën rezultojnë, në mënyrë fiktive emrat e zotit Braho, zotit Brokaj, zotit Legisi, zotit Lesi dhe pa marrë në konsideratë atë numër, i cili nuk është real, pa pjesëmarrjen e këtyre deputetëve nuk do të realizohej kuorumi. Pra është një rast i cili duhet ta turpërojë drejtuesin e Kuvendit”.
Vota e deputetit Braho u prek nga Nazmi Bilani, ndërsa në emër të Ndre Legisit, shtypi butonin Ilir Zela. Një veprim të tillë Braho e cilëson të turpshëm për parlamentin shqiptar.
Spartak Braho: “Në momentin kur është votuar për ligjin për të përndjekurit nuk kam qenë i pranishëm unë dhe 6 deputetë të tjerë socialistë, mora vesh më pas që dikush ka votuar në emrin tim dhe natyrisht, kjo është më shumë se parregullsi është vjedhje elektronike”.
Nuk dihet nëse do të mjaftojë vetëm anulimi i votimit, pasi duhet të dalë përgjegjësia e ndokujt për shkelje të tilla. Ky rast flagrant falë kamerave e titujve të gazetave nuk lejoi që parlamenti të kalojë një projektligj kaq të rëndësishëm e problematik për qeverinë shqiptare. Nuk është çudi që edhe raste të tjera të kenë kaluar pa rënë në sy./tvklan.al