Në selinë e PS-së u mbajt pasditen e sotme aktiviteti në lidhje me platformën “Deputeti që duam”. I pranishëm ishte edhe kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili tha se numri i aplikantëve në këtë platformë do të zgjerohet.
Edi Rama: Platforma nuk është një instrument që e përdorim për herë të parë, por një instrument që për herë të parë e kemi vendosur në qendër të një procesi që ndryshe nga hera e parë, fillon thuajse 1 vit përpara zgjedheve dhe afro 9 muaj përpara se sa të regjistrohen kandidatët që do të jenë pjesë e skuadrës përfaqësuese të PS dhe ju jeni nga grupi i parë i aplikantëve që jeni këtu, por që do të zgjerohet me aplikantë të tjerë.
Vlerë të shtuar në skuadrën tonë nuk të bën mosha më e re dhe as fakti që ke dëshirë apo që mund të dish të flasësh bukur, por as fakti që mund të kesh qenë më parë në rrethin më të gjerë që ka PS, por nuk të bën as lidhja apo lidhjet që mund të kesh me PS-në sepse të gjitha këto janë krejtësisht të pamjaftueshme. Vlerë të shtuar të bën ajo që je në gjendje të demonstrosh duke treguar se je një kandidat apo kandidate që i duhesh skuadrës së PS. Kjo platformë është për të gjithë ata që përndryshe nuk i vjen radha.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama theksoi se për PS-në e 2030-ës, sfida është që ndryshimi i qeverisjes të bëhet ndërkohë që kjo forcë politike është në qeverisje.
Edi Rama: Filluam një ndryshim të gjeneratës që zinte vendin kryesor në të gjithë nivelin e PS-së. PS e cila fitoi zgjedhjet e 2013-ës ishte parti që vinte me fuqinë e ndryshimt të gjeneratave. Ajo gjeneratë ka qenë dominante në PS. PS e vitit 2013 kishte shumë të rinj dhe të reja, të cilët patën fatin që t’i krijonin muskujt në opozitë. Ndërkohë që për PS e 2030-ës, sfida është që ndryshimi i gjenaratës të bëhet ndërkohë që ne jemi në qeverisje. Partia që fitoi zgjedhjet e para dhe që fiton prej atëhere çdo zgjedhje është një parti e cila ka bërë jashtëzakonisht shumë për këtë vend.
Kjo është Shqipëria në raport me aty ku ne u nisëm me një vend që ishte i zhytur në borxhe dhe në halle. Na duhet një energji më e madhe, një PS që të jetë pasqyra e ambicies të pjesës dërrmuese të shoqërisë. Na duhet një parti që të jetë një parti, e cila të jetë pasqyrë edhe e të gjithë forcave të progresit në shoqëri.
Kryeministri Rama u shpreh se ambicia e tyre është që PS e 2030-ës të jetë partia e 1 milionë shqiptarëve aktivë.
Edi Rama: Anëtarësia jonë është së fundmi, zgjedhësit tanë janë mbi 700 mijë. Ambicia jonë është që PS e 2030-ës të jetë partia e 1 milionë shqiptarëve aktivë, një rritje fuqisë tonë në zgjedhjet e ardhshme. Nëse dëshironi që të afroheni më pranë dhe nëse doni të dilni në vijën e parë, të dytën apo të tretën të udhëheqjes së këtij vendi, ne jemi gati të ju presim krahëhapur dhe të ju afrojmë drejt destinacionit.
/tvklan.al