E dyta që merr aprovimin pas Pfizer/Biontech
Vaksina e kompanisë Moderna mori aprovimin nga qeveria amerikane për mbrojtje nga COVID-19, duke i hapur rrugën injektimit të menjëhershëm të miliona dozave. Kjo është vaksina e dytë që merr miratimin nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave që një javë më parë autorizoi edhe vaksinën e Pfizer/BioNTech e cila tashmë po shpërndahet në të gjithë vendin.
SHBA ka rënë dakord të blejë 200 milionë doza nga Moderna, 6 milionë prej të cilave mund të jenë gati të shpërndahen që tani. SHBA ka numrin më të lartë në botë të vdekjeve dhe rasteve nga COVID-19 me më shumë se 313,500 jetë të humbura dhe rreth 17.5 milion të infektuar.
Autorizimi erdhi pasi panel këshillimor votoi me 20 vota pro, asnjë kundër dhe 1 abstenim për injektimin e vaksinës Moderna nga mosha 18 vjeç e lart. Sipas tyre vaksina Moderna ishte e sigurt dhe 94% efektive. I menjëhershëm ishte reagimi i Presidentit amerikan në detyrë Donald Trump dhe presidentit te zgjedhur Joe Biden i cili pritet të vaksinohet të hënën.
Vaksina e Moderna transportohet më lehtë pasi kërkon një temperaturë minus 20 gradë celsius që mund të sigurohet edhe nga një frigorifer normal ndërsa ajo e Ffajcer Bajoentek kërkon temperatura pranë minus 75 gradë. Kanadaja ka në plan të marrë 2 milionë doza nga Moderna deri në mars. Britania e Madhe tashmë ka porositur paraprakisht 7 milionë doza. BE njoftoi muajin e kaluar një kontratë për të blerë 80 milionë doza.
Tv Klan