Lajme Arkiva – TV Klan 2004

OSBE, Bashkimi Europian dhe SHBA kanë thënë qartë dhe hapur, se në kuadrin e reformës elektorale, duhet të ketë një Komision Qendror Zgjedhor të paanshëm, të balancuar dhe që të shënojë progres në përbërjen e tij. Ndryshimi i përbërjes së KQZ dhe balancimi i tij është dhe kushti kryesor që opozita ka vendosur për të bashkëpunuar me mazhorancën për përmirësimin e reformës zgjedhore.

Ambasadori i OSBE-së Osmo Lipponen, ka mbajtur në Vjenë raportin zyrtar 6-mujor për Shqipërinë, që përket dhe me fundin e misionit të tij në Tiranë. Në raportin e Lipponen vlerësohen, se zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të jenë një test i rëndësishëm për vendin dhe për institucionet demokratike. Megjithëse OSBE vëren një përmirësim të sistemit elektoral, në zgjedhjet vendore të vitit 2003, shqetësim mbetet mungesa e gjatë e një vullneti politik, për të arritur standarde elektorale ndërkombëtare. Vullnet i cili shihet mjaft qartë në pengesat e hasura në përpjekjet për rikompozimin dhe balancimin KQZ dhe në përmirësimin e listave të zgjedhësve.

Në zgjedhjet e vitit të kaluar, ky komision u karakterizua nga një disbalancim në 5 me 2 në favor të mazhorancës. Përpjekjet e grupit të ekspertëve për rikompozimin dhe balancimin  tij, janë hedhur poshtë në mënyrë kategorike nga mazhoranca. Sipas Lipponen, në Shqipëri ekziston një sistem politik i polarizuar, i cili shihet me mosbesim nga qytetarët, që çdo ditë ndeshen me korrupsionin, kriminalitetin dhe problemet në zbatimin e ligjit.

Një tjetër kapitull i rëndësishëm në raportin e gjatë prej 22 faqesh të ambasadorit të OSBE-së në Shqipëri është lufta kundër korrupsionit, drogës, pastrimit të parave dhe trafikut të qenieve njerëzore, duke cituar një raport të DASH, ku Shqipëria cilësohej si burim i trafiqeve të grave dhe fëmijëve dhe lufta kundër këtij trafiku merr vlerësimet minimale. Lipponen shprehet, se deri më tani janë bërë disa përmirësime por gjithsesi, sipas OSBE-së, trafiku i qenieve njerëzore mbete ende një çështje shqetësuese, ashtu sikundër kontrabanda dhe trafiku i drogës.

Shqipëria është cilësuar në raportin e OKB-së mbi drogën, si burimi kryesor i kanabisit në Europë dhe si pikë kyçe e transitit të heroinës të ardhur nga Afganistani. Rritja me intensitet e trafikut të drogës, shihet nga perëndimi si një kërcënim serioz për sigurinë, ndërsa pastrimi i parave si një kërcënim direkt për sistemin financiar. Sistemi për mbrojtjen ekonomike dhe financiare është inekzistent dhe kjo gjendje ka sjellë lulëzimin e ekonomisë informale, thuhet në raport.

Situata në mediat e shkruara dhe elektronike paraqitet kaotike në raportin e Lipponen. Në nivelin ndërkombëtar, liria e shtypit shihet me një sy kritik dhe trekëndëshi politikë-biznes-media, vë në pikëpyetje pavarësinë e tij. Influenca e shtetit mbi mediat dhe varësia e tyre provohet me faktin se rreth 60% e të ardhurave të reklamave vijnë nga kompani shtetërore. Presioni i qeverisë përmes reklamave, apo censurimi i News 24 nga PD, janë një mishërim i ndikimit të fortë mbi mediat, për të pasur në dorë kontrollin e tyre. Por gjithashtu Lipponen ngre zërin mbi arrogancën e disa mediave mbi KKRT, të cilët injorojnë rregullat dhe vërejtjet e tij.

Sistemi gjyqësor është i infektuar nga korrupsioni, shumë studime kanë treguar se gjykatat janë institucionet më të korruptuara, thotë Lipponen. Ndërsa përsa i përket respektimit të të drejtave të njeriut, ambasadori i OSBE-së thekson se ka pasur një përmirësim të dukshëm, por gjithsesi prezenca e OSBE-së ka rezerva mbi respektimin e të drejtave të minoriteteve, sistemit të paraburgimit, të drejtat e punonjësve etj.

Në raport theksohet se me afrimin e zgjedhjeve të ardhshme, Shqipëria e sheh veten në rrethana kritike. Sistemi parlamentar i ndërtuar mbi kriteret e debatit konstruktiv dhe dialogut është kusht i domosdoshëm për të garantuar të ardhmen e qytetarëve dhe për të arritur zhvillim në fushën ekonomiko-sociale.

Menjëherë pas këtij raporti BE ka dalë me një deklaratë, 11 pikat e së cilës mbështesin plotësisht dhe falenderojnë ambasadorin Lipponen. Sipas BE-së, ky raport konfirmon vlerësimet e deklaratës së fundit të BE për Shqipërinë dhe letrën e komisionerit Paten për kryeministrin Nano. Në deklaratë thuhet se një shqetësim të madh përbën progresi i pamjaftueshëm në zbatimin e reformës në fusha jetësore, duke përfshirë zgjedhjet dhe luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit. BE i konsideron zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2005, si vendimtare për aspiratat e Shqipërisë drejt integrimit…/tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj