Në Shtetet e Bashkuara u shënua një rënie me 33 mijë vende pune në shtator për shkak të uraganeve Harvey dhe Irma, që mbyllën me mijëra biznese në Teksas dhe Florida dhe detyruan evakuime në masë. Kjo është rënia e parë mujore në afërsisht shtatë vjet.
Sot Departamenti i Punës njoftoi se shkalla e papunësisë ra në 4.2 për qind nga 4.4 për qind, niveli më i ulët që nga shkurti i vitit 2001.
Duke parë ndikimin e uraganëve, tregu i punës dhe ekonomia përgjithësisht duken të shëndetshëm. Rritja e vendeve të punës ka gjasa të rikthet në muajt e ardhshëm, ndërsa pritet të rihapen bizneset në rajonet e prekura dhe kompanitë e ndërtimit të rrisin volumin e punës.
Rënia e muajit të kaluar u nxit nga humbje të mëdha në restorante dhe bare, që shkaktoi hubjen e 105 mijë vendeve të punës, një shenjë e dëmtimit të industrisë së turizmit në Florida.
Sipas qeverisë rreth 1.5 milionë njerëz nuk patën mundësi të punojnë muajin e kaluar për shkak të motit, më shumë se në 20 vjet.
Shkalla e papunësisë ra sepse llogaritet bazuar në një studim të veçantë të ekonomisë familjare. Ky anketim i numëron njerëzit si të punësuar edhe nëse ata nuk kishin mundësi të punonin për shkak të stuhive.
Si rezultat rënia e papunësisë është një shenjë e përmirësimit të tregut të punës jashtë zonave të goditura nga stuhia. /VOA