Pentagoni premton se shumë shpejt, predhat dhe raketat amerikane do të vërshojnë në Ukrainë për të furnizuar ushtrinë e këtij vendi, në luftën kundër rusëve. Pjesë e furnizimeve është edhe sistemi i raketave patriot për mbrojtjen ajrore.

Lajmin e bëri të ditur Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin, i cili njoftoi se administrata Biden ka gati paketën për blerjen e armëve nga industria amerikane e armatimit për të furnizuar Ukrainën.

“Paketa e ndihmës ofron radarë për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot për Ukrainën, më shumë sisteme kundër dronëve, sasi të konsiderueshme municionesh artilerie dhe predha ajër-tokë”.

Furnizimet kapin vlerën e 6 miliardë dollarëve dhe janë pjesë e ndihmës së madhe prej 61 miliardë dollarësh, të miratuar në Kongres më herët gjatë kësaj jave.

Ndihma ushtarake amerikane, për presidentin ukrainas Volodimir Zelenski është jetike për të mbajtur gjallë kundërofensivën ndaj ushtrisë ruse që ka nën kontroll çerekun e territorit të Ukrainës. Ndërsa aleatët perëndimorë thonë se Putin duhet frenuar në Ukrainë, që lufta të mos përhapet në Europë.

Tv Klan