Shtetet e Bashkuara vendosën sanksionet më të ashpra dhe gjithëpërfshirëse deri tani ndaj industrisë ruse të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm. Sipas njoftimeve të Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit Amerikan të Thesarit, ky vendim synon t’i reduktojë të ardhurat e Rusisë nga nafta dhe gazi, të cilat financojnë luftën ndaj Ukrainës.
Masat e së Premtes shënojnë “sanksionet më të rëndësishme deri më tani kundër sektorit rus të energjisë, që njëkohësisht është edhe burimi më i madh i të ardhurave për makinerinë e luftës së Kremlinit”, tha një zyrtar i lartë amerikan.
Krahasa këtyre, Shtetet e Bashkuara përfshin në sanksione edhe kompaninë Industria e Naftës së Serbisë në paketën e sanksioneve ndaj prodhuesve kryesorë rusë të naftës, Gazprom Neft dhe Surgutneftegas.
Industria e Naftës e Serbisë (NIS), shumica e aksioneve të së cilës mbahen nga kompanitë ruse Gazprom Neft dhe Gazprom, është furnizuesja e vetme e Serbisë me gaz dhe pronarja e të dy tubacioneve që transportojnë gaz nga Rusia për në Serbi.
Sanksioneve, të cilat Presidenti Aleksandër Vuçiç, i kishte paralajmëruar që më 13 Dhjetor të vitit të kaluar, u është bashkuar edhe Britania e Madhe.
Kompanitë ruse zotërojnë rreth 56% të aksioneve në Industrinë serbe të naftës. Presidenti serb tha të premten se ShBA kërkon “tërheqjen e plotë të kapitalit dhe interesave ruse” nga Industria serbe e Naftës, proces që duhet të përfundojë brenda 45 ditësh dhe duhet të miratohet nga Shtetet e Bashkuara.
Klan News