Presidenti amerikan Donald Trump i ka hequr të drejtën për të pasur akses në informacionet e klasifikuara edhe Antony Blinken, ish-Sekretarit të Shtetit.

“Djalë i keq. Hiqjani lejet”, citohet të ketë thënë sipas gazetës New York Post, Trump për Blinken.

Të njëjtin vendim kreu i Shtëpsië së Bardhë mori edhe për ish-Presidentin Biden. Në këtë listë është edhe Letitia James, prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut  dhe Alvin Bragg, prokurori i Qarkut të Manhatanit.

Ky i fundit ndoqi penalisht Trump për çështjen ‘Stormy Daniels’ vitin e kaluar. Ai u shpall fajtor  për falsifikimin e të dhënave të biznesit por i shpëtoi dënimit pas fitores së tij në zgjedhjet presidenciale.

Demokratët e tjerë që preken nga ky vendim përfshijnë ish-këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan dhe Zëvendës Prokurorja e Përgjithshme e Biden, Lisa Monaco.

Më herët, Trump arsyetoi vendimin e tij në rrjetet sociale për t’i hequr të drejtën Biden për të patur akses në informacionet sekrete duke përmendur si arsye shqetësime për kujtesën e ish-Presidentit dhe rreziqe të sigurisë kombëtare.

Edhe Biden bëri të njëjtën gjë me Trump para 4 viteve.

Klan News