Shefi i ODHIR Shtudman ka vlerësuar si të pranueshme zgjedhjet lokale të 1 tetorit në takimet me Presidentin Mejdani si dhe drejtuesit e partive politike shqiptare Fatos Nano, Sali Berisha dhe Genc Pollo. Në Hotel Rogner, Shtudman ka konstatuar angazhimet e liderit të mazhorancës Fatos Nano për të garantuar një proces zgjedhor të pakontestueshëm në zgjedhjet parlamentare të qershorit. Pas takimit presj 45 minutave, kryesocialisti Nano u shpreh:
“Zoti Shtudman është këtu në kohën e duhur për të identifikuar se sa është kuptuar nga të gjithë subjektet politike gjithashtu progresi i bërë në zgjedhjet e tetorit 2000 si dhe nevoja për përmirësimet e identifikuara në kuadrin e përgatitjeve zgjedhore për qershorin 2001. Ne biseduam mbi bazën e një informacioni të plotë faktik për të gjitha aspektet teknike të përgatitjeve për zgjedhje dhe verifikimi i fundit i listave mbi bazën e projektit të IEFS, pra të organizatës joqeveritare ndërkombëtare që asiston në administratën elektorale në Shqipëri të drejtuar nga amerikanët për të çuar dhe njëherë korrektimin përfundimtar të listave në zyrën e gjendjes civile në mbarë republikën deri tek kalimi në Parlament i draftit pas negociatave me të gjitha palët për kufinjtë e 100 zonave të reja elektorale si dhe shpallja në kohën e duhur për publikun jo vetëm i listave, por i të gjitha modaliteteve dhe procedurave zgjedhore që do të bëjnë çdo subjekt dhe çdo votues i qartë për të shprehur lirisht dhe për të pasur të garantuar votën e tij. Zoti Shtudman shtroi shqetësimin me të cilin ne bashkohemi për të evituar çdo vonesë në afatet ligjore të këtyre përgatitjeve dhe ne shprehëm jo vetëm besimin, por dhe angazhimin tonë të mazhorancës aktuale që të bëhen të gjitha përpjekjet që procesi zgjedhor këtë herë të jetë i përgatitur në kohën e duhur dhe të sigurojë garanci për të gjithë të barabarta.”/tvklan.al