Një shqiptar është vënë në pranga në lidhje me një vrasje të dyfishtë të ndodhur në Maltë. Daniel Muka, 25 vjeç, u arrestua gjatë një aksioni të policisë të martën.
Ai dyshohet për vrasjen e bankierit Christian Pandolfino dhe partnerit të tij, koleksionuesit të artit Ivor Maciejowski. Ata u qëlluan me armë zjarri në banesën e tyre gjatë një grabitjeje në Silema, ku policët dyshojnë se janë përfshirë tre persona, mes tyre edhe Muka.
Muka është shumë i njohur për policinë në Maltë. Ai aktualisht ishte në liri me kusht për akuzën e tentativës së vrasjes dhe grabitjes. Këto incidente kanë ndodhur në 2017-n.
Në Tetor të 2017-s ai u arrestua sërish në lidhje me një grabitje në një dyqan bizhuterish. Muka u arrestua një javë pas kësaj ngjarje. Ndër të tjera ai dhunoi oficerin e policisë pasi ky i fundit e njohu.
25-vjeçari mendohet se ka tentuar të vrasë edhe dy policë pasi u ka drejtuar armën dhe ka qëlluar ndaj tyre teksa ata i afroheshin për ta kapur. Mirëpo mediat shkruajnë se i riu shqiptar ishte liruar me kusht dhe ky vendim ka bërë shumë përshtypje për shkak të akuzave të rënda që rëndonin ndaj tij.
Sa i përket vrasjes së fundit të dy personave policia ka arrestuar edhe dy persona të tjerë. Muka ka pranuar që ka qenë i përfshirë në ngjarje, por nuk ka qenë ai që ka planifikuar krimin.
Ai nuk ka treguar identitetin e dy personave të tjerë. 25-vjeçari pritet të dalë gjykatë ditën e sotme. Sipas autoriteteve, gjurmët e tij të gishtërinjve janë gjetur në shtëpinë ku është kryer vrasja, në makinën si dhe dy armët e përdorura në krim. /tvklan.al