Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në një lidhje me emisionin “Opinion” tha mbrëmjen e kësaj të enjteje se vaksinimi nga Covid-19 nuk do të jetë i detyrueshëm, por ajo theksoi se vaksina është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga virusi.

“Vaksinimi do të jetë jo obligativ”.

Pra kush nuk do ta bëjë nuk e bën. Po për punonjësit e shëndetësisë, është i detyrueshëm?

“Praktikisht punonjësit e shëndetësisë janë ata të cilët e kuptojnë dhe janë ata që janë më pak hezituesit, sa i përket vaksinave. Duke pasur një eksperiencë po themi gati 100 përqind me vaksinimin kundër gripit këtë vit, besojmë se nuk do të kemi hezitim në vaksinimin nga personeli shëndetësor. Megjithatë vaksina nuk do të jetë e detyrueshme, pra flas këtu për popullatën. Por sigurisht, vaksina është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga virusi”.

A do të lejohen dhe privatët ose individët që duan ta blejnë dhe ta sjellin që të lejohen të vaksinojnë?

“Vaksina do të jetë falas, e garantuar nga shteti dhe do të vlerësohet në dinamikë më pas. Por çfarë është e rëndësishme, ashtu siç është politika globale në fakt, sepse të gjitha shtetet janë duke operuar në të njëjtën strategji, sa i përket vaksinimit dhe do të jetë falas besoj në të gjithë shtetet, pjesa e kategorive të riskut, kurse për ne, ne e kemi deklaruar që do të jetë falas patjetër dhe besojmë fort që do të arrijmë ta kryejmë edhe këtë sfidë të radhës me sukses”./tvklan.al