Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Partia Socialiste gjithnjë e më shumë po jep idenë e shthurjes se sa atë të reformimit. Një grumbull faktesh dhe qëndrimesh, po vërtetojnë se të bësh ndryshime në strukturat e ndryshkura të kësaj partie, gjatë 8 viteve në pushtet është një ndërmarrje gati e pamundur.

Në mbledhjen e fundit të kryesisë nga krejt emrat e shumëpërfolur, vetëm njeriu i mirë Bardhyl Agasi iu bind mesazheve indirekte të kryetarit dhe dha dorëheqjen. Arta Dade deklaroi, se vetëm kongresi dhe jo vullneti i kryetarit mund ta shkarkojë nga kryesia, ndërsa kaosit socialist iu shtuan edhe akuzat e rënda të kryeredaktorit të “Zërit të Popullit”.

E ndodhur në fije të perit, pasi ka humbur shumicën në parlament me largimin e Ilir Metës, PS ka të ngjarë, që në vend të reformimit të partisë, të shtojë radhët e të pakënaqurve. Nga ana tjetër, presioni i aleatëve është rritur së tepërmi, tani që partia mëmë nuk mund të bëjë dot pa votat e tyre. Çdo ministri e lëshuar për ta nuk do të shihej me sy të mirë nga vetë socialistët.

Në këta ekuilibri të vështirë i duhet të ecë Fatos Nanos, për të çuar mazhorancën e tij, të paktën deri në zgjedhje dhe deri tani, ndryshimet që po kërkon të realizojë më shumë po e shtyjnë, se sa po e ndihmojnë që t’ia dali mbanë./tvklan.al

Gazetare: Danjela Kostandini