Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Dy forcat e mëdha politike në vend, mbyllën në mënyrë festive fushatën elektorale. Sheshet e mëdha të Tiranës, u pushtuan nga banderolat, flamujt, fishekzjarrët dhe militantët. Dy anët e litarit janë të bindura në fitoren e tyre të thellë, ndërsa flasin për sondazhe kontradiktore.
Mbyllja populiste e fushatës kësaj radhe tentuan edhe parti të tjera, të cilat kanë peshë specifike më të vogël. Është hera e parë që në ambientin politik, flitet për forca të treta, ose të katërta. Që synojnë plotësimin e vakumit. Liderët partiak kanë kryer një fushatë intensive në të gjithë Shqipërinë.
Në ndryshim me vitet e shkuara, nuk përbënte lajm takimi elektoral i Nanos në Shkodër, apo i Berishës në Vlorë. Përveç retorikës së ashpër të përdorur nga politikanët klasikë të pluralizmit shqiptarë, aktorët e fushatës kanë lënë pas dore sharjet, fyerjet, mallkimet dhe kanë bërë premtime. Sot shqiptarët reflektojnë, të lëkundurit duhet të vendosin, bojkotuesit duhet të kthejnë mendjen.
Procesi që hapi debat për KQZ, policinë e financimet, nesër është në provë. Nesër votohet jo vetëm për partinë, kandidatin, por edhe për procesin, prej të cilit varemi në fije të perit./tvklan.al
Gazetar – Enkel Demi