Realizohet me sukses operacioni i parë në Shqipëri për rikthimin e zërit tek pacientët që kanë hequr laringun për shkak të kancerit.

Deri më tani me dhjetëra pacientë kanë humbur përgjithmonë zërin pas operacionit. Kjo është një traumë për këta njerëz që nuk mund të flasin.

Veli Gjokla është 52 vjeç dhe prej tetë vjetësh nuk mund të flasë. Ai mund të komunikojë vetëm kështu.

“Është një traumë për një person që nuk arrin të komunikojë. Nëse i rikthen zërin është një mrekulli. Nuk paguhet, nuk paguhet.”

Mjekët e shërbimit ORL i kanë dhënë fund kësaj traume të kryesuar nga kirurgu otorinolaringolog, Besim Boçi. Ata kanë realizuar operacionin për vendosjen e protezës, e cila zëvendëson laringun dhe bën të mundur rikthimin e zërit.

Qiriako Dama është pacienti i parë, i cili pas dy vjetësh mund të flasë falë operacionit.

“Kjo është pjesa, hapja e parë e protezës që vendoset në murin e pasmë të trakesë. Hapja tjetër, po si kjo, por që ka një valvul vendoset në murin tjetër që përkon me ezofagun. Pra, valvula nuk lejon që ushqimet nga ezofagu të dalin këtu edhe të shkaktojnë mbytje sose kollë tek i sëmuri. Në momentin që flet i sëmuri kjo brima këtu lidhet me anë të kësaj kasetës dhe presioni i ajrit duke kaluar nëpërmjet protezës shtyn valvulën mbrapa që ndodhet në pjesën e pasme, shkakton dridhje të saj dhe formohet zëri”.

Por, çdo gjë e ka një kosto dhe vendosja e protezës që rikthen zërin kushton 550 euro, para këto që duhet t’i paguajë vetë pacienti, pasi shteti nuk merr përsipër asgjë.

Pacienti që vendos këtë protezë duhet ta ndërrojë atë pas një viti.

Besim Boçi: “Sepse pastaj fillon konsumohet valvula dhe i sëmuri ka dalje të ushqimeve nga ezofagu në rrugët e frymëmarrjes dhe përveç kësaj bie dhe kualiteti i zërit”.

Me gjithë suksesin e arritur nga ky operacion shefi i shërbimit dhe vetë doktori që realizoi atë kërkojnë mbështetjen e shtetit për përballimin e kostos së operacionit për këto pacientë.

“Kërkojmë të fusim vazhdimisht metoda të reja, por ama të gjitha këto metoda të reja që ne kërkojmë t’i fusim kanë kosto dhe kosto nuk është e vogël. Është e lartë”.

Besim Boçi: 50 raste në vit neve na duhen mesatarisht 1 mijë euro për pacientë që i bie 50 mijë euro që nuk është asnjë gjë për drejtorinë apo për Ministrinë tonë të Shëndetësisë. Me 50 mijë euro ne arrijmë që ta mbulojmë të sëmurin për një periudhë gati 2-vjeçare.”

Operacioni për heqjen e laringut dhe vendosjen e protezës së silikonit për të rikthyer zërin kryhet tek të gjithë ata persona që kanë tumore të avancuara në laring.

Pas këtij operacioni shërbimi ORL ka në projekt implantin koklear, çka do të thotë rikthimi i dëgjimit tek personat që e kanë humbur atë./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami