Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, Elmaz Sherifi nga PS dhe Jemin Gjana nga PD, janë takuar në selinë e OSBE-së gjatë pasdites me shefin e misionit të ODHIR-it Nikolai Vulcanov. Në takim palët nuk kanë rënë dakord për çështjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe përfaqësuesi i ODHIR-it ka kërkuar që të gjendet vullneti i duhur politik për ndryshimet në KQZ.

Elmaz Sherifi: “Ne nuk vajtëm për të përcaktuar formulën sot aty, ishin përfaqësuesit e ODHIR-it, ishte zoti Vulcanov, zëvendëspresidenti i ODIHR-it, s’ka ndonjë propozim, aty u diskutua cilat do të jenë rrugët që duhet të ndjekin dhe me kontributin e përbashkët të të gjithëve.”

Jemin Gjana: “Duke iu kërkuar në mënyrë eksplicide, se duhet ta bëjnë ata një zgjidhje për KQZ, ishte se ju duhet të respektoni rekomandimet tona dhe ne jemi këtu për të mbështetur zgjidhjet tuaja politike dhe vullneti politik duhet të jetë ai që duhet të mbizotërojë edhe për të zgjidhur çështjen e shumë përfolur të balancimit të KQZ.”

Reforma zgjedhore ishte gjithashtu në qendër të takimit që ambasadori i ri i OSBE-së Pavel Vacek zhvilloi gjatë paradites me kryetarin e Kuvendit Servet Pëllumbi./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj