Një sherr mes 2 bandave rivale shqiptare ka shkaktuar 1 të vdekur dhe 3 të plagosur rëndë në Itali.
Sipas mediave fqinje, viktimat dhe të plagosurit janë me origjinë shqiptare. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në via Aldo Moro në një lokal në qendër të Frosinone.
Fillimisht u raportua vetëm për një të vdekur që kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Foto: Lokali ku ndodhi ngjarja
“La Republicca” shkruan se viktimat dhe të plagosurit shqiptarë ishin ulur në një tavolinë në lokal. Menjëherë rreth orës 19:30 kanë ardhur me një makinë tip “Lancia” grupi tjetër i shqiptarëve, të cilët janë përplasur me shqiptarët.
Sipas rindërtimit të skenës së krimit, një prej tyre ka qëlluar me armë zjarri nga makina në drejtim të shqiptarëve. Pasi kanë kryer krimin e rëndë, autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes me shpejtësi duke braktisur dhe mjetin me të cilin lëviznin.
Prefekti i Frosinone, Ernesto Liguori, ka njoftuar se do të mbledhë nesër në mëngjes Komitetin për Rendin dhe Sigurinë Publike për zbardhjen e krimit të rëndë. Ndërkohë, Kryebashkiaku i Frosinone ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe është shprehur i shokuar dhe teksa ka thënë se kjo është një plagë për të gjithë qytetin.
“Jam i shokuar, nuk mund të them asgjë. Për mua kjo që ndodhi është e pashpjegueshme. Është një plagë për të gjithë qytetin. Mund të konfirmoj që nesër në mëngjes do të flasim me prefektin”, tha kryetari i Bashkisë Frosinone, Riccardo Mastrangeli.
Foto: Lokali ku ndodhi ngjarja
Akoma nuk është bërë i ditur identiteti i shqiptarëve të vrarë dhe të plagosurve, ndërsa motivi i krimit mbetet i paqartë. Në vendin e ngjarjes ndodhen forca të shumta policore që po punojnë për zbardhjen e krimit./tvklan.al