Policia e Durrësit zbardhi një ngjarje të rëndë kriminale ku një 35-vjeçar vrau shokun dhe më pas fshehu krimin.

Majlind Habibi u vu në pranga pas hetimeve që zgjatën disa ditë. Policia e qytetit bregdetar thotë se mori kallëzim në datën 4 Dhjetor nga një banues në lagjen numër 15 në Durrës se djali i tij Branko Shkoza ishte larguar prej dy ditësh (2 Dhjetor) nga shtëpia dhe kishte humbur kontaktet me të.

Pas kërkimeve, policia mundi të gjejë trupin e pajetë të djalit 33-vjeçar në një kanal të ujërave të zeza. Nga këqyrja e trupit të viktimës nuk u konstatuan shenja dhune.

Për këtë arsye, efektivët e Durrësit më 6 Dhjetor sollën një njoftim për shtyp, ku flitej për një ngjarje aksidentale. Por këqyrja e vendit të ngjarjes nuk ka bindur hetuesit që kanë krijuar dyshime se ngjarja nuk ishte në fakt e tillë.

Nga verifikimet e tyre, u dokumentua me prova shkencore se 35-vjeçari Majlind Habibi, pas një konflikti për motive të dobëta, shtyu dhe hodhi nga një urë në kanalin e ujërave të zeza 33-vjeçarin Shkoza. Për pasojë ky i fundit humbi jetën.

Deri më tani nuk dihen shkaqet e plota të kësaj ngjarje. Dyshimet janë se si viktima dhe autori kanë qenë në gjendje të dehur./tvklan.al