“Kemi qenë të dy të dehur, nuk kisha qëllim ta vrisja.”
Kështu mësohet të ketë thënë përpara oficerëve të Policisë së Durrësit, Majlind Habibi, autori i vrasjes së 33-vjeçarit Branko Shkoza, ngjarje kjo e ndodhur më 2 Dhjetor. Trupi i pajetë i viktimës u gjet 8 ditë më vonë, më 10 Dhjetor pikërisht në këtë kanal që shihni në pamje.
Majlind Habibi: Ditën e ngjarjes, më 2 Dhjetor unë kam qenë në punë dhe pasi kam mbaruar, kam pirë në një lokal. Në mbrëmje kam dalë në lagje dhe e kam takuar aty Brankon, ku pashë se dhe ai ishte i pirë. Nuk kam patur probleme. Kam qenë shumë i pirë dhe s’mbaj mend shumë gjëra. Jam shumë i penduar, por nuk mendova se mund t’i ndodhte gjë.
Zbardhja e ngjarjes së rëndë dhe identifikimi i autorit, u bë për shak se 35-vjeçari, Habibi ka rrëfyer krimin e kryer tek një i njohuri i tij, dëshmia e të cilit ka ndihmuar policinë.
Madje personi që ka patur dijeni për ngjarjen, i ka rrëfyer hetuesve se vrasja ka ardhur si pasojë e një konflikti për motive të dobëta. Babai i viktimës thotë për mediat se prej ditësh dyshonte se Majlind Habibi fshihej pas zhdukjes së djalit të tij.
Ngjarja e rëndë ka shtuar tensionet mes dy familjeve Shkoza dhe Habibi, fqinj me njëra-tjetrën. Situata ka agravuar deri aty sa është dashur ndërhyrja e policisë për të qetësuar situatën.
Tv Klan