Në 3 vjetorin e zgjedhjes në krye të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tërhoqi dje në Barcelonë çmimin e madh për Sheshin “Skënderbej”, i cili u përzgjodh nga një juri profesioniste ndërkombëtare, si hapësira më e mirë publike e urbane në Europë për vitin 2018, duke triumfuar mes 279 projekteve nga 32 vende në konkurrim.
Pas vlerësimit që mori në Bienalen e Çikagos para një viti, sheshi “Skënderbej” rrëmbeu çmimin prestigjioz Evropian për Hapësirën Publike Urbane 2018, i dhënë nga Qendra e Kulturës Bashkëkohore e Barcelonës dhe gjashtë institucionet evropiane më të rëndësishme të arkitekturës dhe dizajnit në Europë. Juria, e kryesuar nga Olga Tarraso dhe me përbërje ekspertët më të mirë ndërkombëtarëtë arkitekturës, vlerësoi sheshin “Skëndërbej” si një shesh monumental mahnitës, çlodhës, dhe një nga projektet më emocionues të këtij viti.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili u shpreh se ky çmim është shpërblimi më i mirë i një pune të madhe të bërë që nga projektimi deri te ndërtimi i sheshit të ri “Skënderbej”.
“Jemi të gjithë kaq të lumtur që Tirana u vlerësua sot në Barcelonë me çmimin më prestigjioz për hapësirën publike në Evropë. Morëm çmimin si hapësira publike më e mirë në Evropë nga mbi 32 vende dhe 279 projekte. Nuk besoj se ka bekim dhe shpërblim më të madh të një pune kolosale; punë që filloi me Edi Ramën dhe ekipin e Bashkisë së Tiranës në vitet 2000, pastaj në 2008 me konkursin, nisja e punës, mandej shkatërrimi dhe ‘varrosja’ e gjithë asaj pune nga administrata e gjumit, e në fund rizgjimi me projektin e Rilindjes Urbane, që solli një transformim të madh jo vetëm të sheshit ‘Skënderbej”
, tha kryebashkiaku Veliaj pas marrjes së çmimit.
Ai theksoi se ky çmim nderon çdo qytetar të Tiranës, që besoi te ndryshimi dhe tregon edhe një herë se kur ka bashkëpunim dhe mirëkuptim mund të bëhen gjëra shumë të mira, që vlerësohen ndërkombëtarisht.
“Jam shumë krenar sot, për të gjithë qytetarët e Tiranës; nuk ka rëndësi si kemi votuar, çfarë opinionesh kemi, rëndësi ka që kur bëhemi bashkë, bëjmë mrekulli. Me sheshin “Skënderbej” kemi bërë një mrekulli, jo vetëm me realizimin, por se sa jetë, energji, sa gaz dhe sa dëshirë i japim asaj hapësire. Unë e di që në Shqipëri për çdo gjë ka debat: mos ma prek këtë, mos më prek atë, mos më prek liqenin, mos më prek pazarin, teatrin, sheshin! Siç po tregon historia, gjërat që preken dhe që modernizohen, në fakt marrin çmime, vlerësohen, sjellin jetë, ekonomi, sjellin turizëm, ndaj ka ardhur koha që të ecim përpara”
, u shpreh Veliaj.
Gjithashtu, kryebashkiaku nënvizoi se çmimi që mori sheshi “Skënderbej” është një tjetër provë se edhe Teatri i ri Kombëtar, ashtu si çdo projekt tjetër i sulmuar nga opozita, do të jetë një sukses që gjithashtu do të vlerësohet më pas.
“Çka vjen më pas është Teatri i Tiranës dhe jam i lumtur sot dhe dua t’i falenderoj nga zemra aktorët e arkitektët. Shumica dërrmuese janë shprehur: Po, e duam një teatër të ri, por eja negociojmë versionin më të mirë. Ky është një lajm fantastik! Mezi pres që ashtu si Tirana ka fituar këto çmime dhe po vlerësohet për të gjithë këto “stoli” të Rilindjes Urbane, ashtu ka ardhur koha që t’i japim Tiranës një teatër dinjitoz dhe gjithë ato skena që kemi parë janë një përrallë nga e kaluara. Ne, këtë film e kemi parë edhe me sheshin, me pazarin, e kemi parë me lodrat te Liqeni, bulevardin, ja ku jemi sot! Sikur ta shihnim njëri-tjetrin me të njëjtën dashuri që na sheh Evropa, mund ta bëjmë Evropën në Shqipëri. Ndaj mezi pres të ecim përpara, t’i fusim të pestin edhe për teatrin, pasi të kemi rënë dakord për një hapësirë dinjitoze, që nuk e prek pronën e teatrit. Kemi gjetur mënyrën më të mirë, që ashtu si stadiumi, t’i japim një teatër Tiranës pa para nga taksapaguesi, pa i marrë pronën, me një hapësirë të trefishtë për artistët, dhe besoj që nuk do jetë e largët dita kur do marrim çmime edhe për teatrin e ri”
, u shpreh ai.
Anëtari i jurisë ndërkombëtare, holandezi Hans Ibelings (kritik arkitekture) u shpreh se sheshi “Skënderbej” është një nga projektet më emocionues në kandidaturat e këtij viti.
“Është një shesh i pazakontë, monumental, e në të njejtën kohë thuajse rastësor, informal dhe çlodhës. Është një vend që ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm që prej vitit 1920, kur arkitektët italianë e krijuan si një shesh monumental. Mandej, u kthye në sheshin e regjimit komunist dhe tani, është rikrijuar, rizbuluar, dhe përçon një vizion të ri. Por, çka është më e mrekullueshme, është se pavarësisht shkallës dhe dimensionit të tij monumental, ka një karakter joformal që vizitohet çdo ditë. Pra, është monumental dhe njëkohësisht, i hapur”
, u shpreh anëtari i jurisë, holandezi Ibelings.
Një tjetër anëtar i jurisë, Peter Cachola i Muzeut të Arkitekturës në Frankfurt, theksoi se sheshi “Skënderbej” ofron ndërthurje të një hapësire të madhe publike me hapësira më të vogla intime, siç janë oazet me lulishte përreth tij
. “Sheshi “Skënderbej” në Tiranë është i rëndësishëm sepse tregon se si ende mund të ndërtojmë hapësira publike, të dimensioneve të mëdha, por jo monumentale; madhështore, por në të njëjtën kohë, edhe njerëzore, që ofrojnë intimitet. E vlerësojmë si një projekt mahnitës, tronditës dhe shumë të guximshëm, prandaj i japim çmimin fitues”,
tha ai.
Matevz Celik nga Muzeu i Arkitekturës dhe Dizajnit në Ljubljanë veçoi elementin kombëtar dhe kreativ të sheshit “Skënderbej”. “Është gjithashtu, një vend i identitetit kombëtar. Por, është një vend i identitetit kombëtar, i çliruar nga çdo idelogji, shumë i freskët, shumë kreativ dhe vërtet një vend që ka sjellë një frymë të re në qytetin e Tiranës, një atmosferë të re, të ndriçuar dhe e orientuar nga e ardhmja”, tha Celik.
Çmimi Evropian për Hapësirën Publike Urbane është një çmim i cili jepet çdo dy vjet nga Qendra e Kulturës Bashkëkohore e Barcelonës dhe gjashtë institucionet evropiane me qëllim për të njohur dhe për të inkurajuar projektet e rimëkëmbjes dhe mbrojtjen e hapësirës publike në qytetet tona.
Çmimi, i krijuar në vitin 2000, këtë vit festoi edicionin e tij të dhjetë. Juria Ndërkombëtare e Çmimit Urban të Hapësirës Evropiane përzgjodhi 25 punime si finaliste në mesin e 279 projekteve nga 32 vende evropiane. Çmimi Evropian për Hapësirën Publike Urbane organizohet nga Qendra për Kulturë Bashkëkohore të Barcelonës (ÇCB) dhe partnerët: Muzeu Gjerman i Arkitekturës (Frankfurt); Muzeu i Arkitekturës Finlandeze (Helsinki); Muzeu i Arkitekturës dhe Dizajnit (Lubjanë); Fondacioni i Arkitekturës (Londër); Qyteti i Arkitekturës dhe Trashëgimisë (Paris) dhe Qendra e Vjenës e Arkitekturës (Vjenë)./tvklan.al