Pandemia që preku botën, bëri që  njerëzit të qëndrojnë në shtëpi për një kohë të gjatë, por javët e fundit masat kanë qenë më relaksuese për qytetarët.

Gjatë kësaj jave rrugët e Tiranës kanë qenë të mbushura plot me njerëz të cilët kanë lënë karantinën për të kryer blerje, apo qoftë dhe për një shëtitje.

Nga një vëzhgim që emisioni “Rudina” ka bërë, duke intervistuar disa prej qytetarëve që kanë zgjedhur orët me diell për të shëtitur, shumë prej tyre shprehen mjaft të kënaqur për këtë hapësirë.

Disa kanë dalë për të kryer blerje, disa prej tyre shëtitje me fëmijët, e të tjerë për t’u takuar me të afërmit e tyre.

“Dalim me fëmijët, kanë qejf të marrin ajër të pastër se dhe brenda nuk rrihet. Me orare, pa orare… dhe kjo e mirë është, por që duhet të dalim. S’ka më tani izolim, se ne na ruan Zoti, s’na gjen gjë nga viroza, se po të qe na kishte zënë…”, shprehet një qytetare.

Por rregullat për distancimin social për të parandaluar përhapjen e Covid-19, qytetarët shprehen se do t’i zbatojnë, e megjithatë nga vëzhgimi i bërë nga emisioni “Rudina”, duket se këto rregulla nuk po zbatohen.

Lufta me Covid-19 ende nuk ka mbaruar, ndaj duhet të vazhdojmë rregullat e higjienës dhe distancës sociale. /tvklan.al