Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Është zhvilluar mbrëmë në teatrin e Rubairave, një shfaqje e suksesshme e magjistarit Nadir Murra. Përpara publikut të sallës, Nadiri ka realizuar numrat të cilët kanë befasuar të pranishmit. Pas sukseseve të mëparshme të tij, iluzionisti Nadir, i është rikthyer sërish Tiranës, kësaj radhe në teatrin e Rubairave. Publiku i sallës së Rubairave, mbrëmë ka pasur rastin të ndjekë nga afër numrat e iluzionistit Nadir, i cili iu ka dhuruar mbrëmë një natë magjie.

Por ndërsa spektakli vazhdonte drejtuesit e Rubairave kanë pasur një incident me operatorin e TV Kohës. Për këtë drejtori i teatrit të Rubairave, Leka Bungo është shprehur për mikrofonin tonë.

Regjisori Leka Bungo:- “Unë mendoj që nuk duhet zmadhuar, por unë mendoj, që duhet theksuar, që le të shërbejë për të gjithë ne, që punojmë edhe në media. Incidenti që ndodhi ishte i pahijshëm. Operatori i TV Koha, erdhi me kërkesën time, për të bërë një kronikë ashtu si operatorët e tjerë. Mirëpo në të vërtetë, pikësynimi i operatorit të TV Koha, nuk ishte ky, ishte për të xhiruar të gjithë spektaklin, gjë që s’mund ta bënte, sepse spektaklin e organizonte një tjetër televizion. Unë ndërhyra disa herë gjatë spektaklit, për ta ndërprerë xhirimin dhe ai bënte sikur e ndërpriste dhe vazhdonte prapë. Kjo ishte në thelb ajo që ndodhi mbrëmë”./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora