Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Lumi Erzen është vendi ku ushtrojnë aktivitetin shumë firma, të cilat marrin prej këtu materialet inerte. Në të gjithë rrethin e Tiranës ushtrojnë aktivitetin rreth 30 firma të tilla, të cilat kanë sjellë dhe dëme ekonomike, duke stimuluar shtimin e erozionit.

Krahas kësaj, shumë prej këtyre subjekteve kanë edhe mangësi në dokumentacione, apo edhe më tej, punojnë pa licencën përkatëse. Një ndër këto subjekte ndodhet gjatë lumit Erzen në afërsi të Vaqarrit. Policia ndërtimore pas kontrollit të bërë ka filluar shembjen e impiantit të kësaj firme.

Astrit Memushi: “Aktualisht këtu ndodhemi në lumin Erzen, objekti që ju shikoni është objekt pa leje ndërtimi, prandaj edhe po goditet nga policia e ndërtimit. Sigurisht që ka mangësi në dokumentacion, pasi lejet e shfrytëzimit të rinovura i ka marrë vetëm një pjesë e vogël e këtyre subjekteve”.

Ndërhyrja do të shtrihet jo vetëm në pellgun e lumenjve të ndodhura në rrethin e Tiranës, siç është lumi Erzen, por më pas do të shtrihet edhe përgjatë lumit të Matit, në të cilën ndodh i njëjti fenomen, ai i shfrytëzimit pa kriter apo edhe i mungesës së lejeve përkatëse./tvklan.al