Gjysma e qytetit rrethohet nga shiritat bllokues

Pasojat që lanë pas lëkundjet sizmike në qytetin e Shijakut janë të shumë të mëdha. Gati gjysma e qytetit është i rrethuar me shirita bllokues. Dhjetëra pallate janë të pabanueshme për shkak të dëmtimeve që kanë marrë që në themel, ndërsa shumë të tjera janë të dëmtuara.

Zona e njohur me emrin “Lugina”, në të cilën është përqëndruar numri më i madh i banorëve, është klasifikuar e gjitha e pabanueshme.

Banorët, të cilët qëndrojnë pranë objekteve, tregojnë pasojat e termetit. Ka dhe nga ata që pavarësisht rrezikut që i kanoset guxojnë të shpëtojnë ata pak orendi shtëpiake që i mbijetuan dëmtimit.

Banorët ankohen se i vetmi menaxhim i situatës nga ana e autoriteteve, është vendosja e shiritave të bllokimit. E njëjta gjendje paraqitet edhe në lagjen “Popullore”. Për familjet e prekura nga tërmeti në Shijak janë ngritur tre vendstrehime.

Deri më tani sipas autoriteteve në Shijak, nga verifikimi i parë, 45 pallate dhe 27 shtëpi janë të pabanueshme, ndërsa 179 objekte të tjera janë të dëmtuara.

Tv Klan