Do të duheshin 7 vjet që të goditej bërthama e fortë e bandës kriminale të Lushnjës. Në vitin 2005 perandoria kriminale e ngritur nga Aldo Bare do niste të thërrmohej.

Hetimet ndaj krimeve të saj në fakt nisen prej vitit 1999, por goditjet e policisë prekën vetëm disa anëtare, të cilësuar si ushtarë të Alfred Shkurtit.

Në prokurorinë e Krimeve të Rënda, dosja hetimore ndaj krimeve të kësaj organizate, që mbante numrin 15, u regjistrua më 7 shkurt të vitit 2006.

Aldo Bare ishte dënuar 5 vjet më parë me 25 vjet burg në mungesë nga gjykata e Elbasanit. Por viti 2006 hapi një fazë të re në luftën e policisë kundër këtij grupi që kishte sfiduar shtetin dhe drejtësinë jo në pak raste.

Arrestimi i Aldo Bares me 25 Shkurt të të njëjtit viti, në Ankara, do të ishte goditja më e rëndë për këtë bandë, por jo e fundit.

Një muaj më vonë, më 24 mars, operacioni Laguna do të çonte në arrestimin e 4 anëtareve të tjerë: Eduard Hysen Demirit, 45 vjeç, Qemal Hamdi Ymerit, 30 vjeç, lindur në Tetovë e banues në Lushnjë, Luan Avdulit, 35 vjeç, banues në Shijak dhe Rexhep Ginës.

Më 21 Maj të po këtij viti, policia italiane arrestoi në Padova, Enver Dondollakun, krahun e djathte të Aldo Bares, gjakësorin, siç e përshkruan mediat italiane në atë kohë.

Sot, 15 anëtarë të kësaj organizate kriminale të akuzuar për dhjetëra vrasje e krime të tjera gjenden në gjykim apo janë dënuar nga drejtësia.

Në hapje të procesit, 27 prej tyre u ulen fillimisht në bankën e të akuzuarve. Njeri prej tyre u kthye në bashkëpunëtor të drejtësisë, duke ndihmuar në zbardhjen e krimeve monstruoze të kryera ndër vite./tvklan.al