Një grup kriminal italo-shqiptar që merrej me trafikun e lëndëve narkotike është shkatërruar nga autoritetet e shtetit fqinj. Falë një operacioni të quajtur “San Silvestro” në pranga u vunë nëntë persona. Mes tyre ka edhe shqiptarë.
Ata janë Geraldo Ismailaj, 42 vjeç; Alban Limaj, 32 vjeç; Erfan Bajrusi, 24 vjeç dhe Alvaro Aliaj, 28 vjeç. Sipas asaj që bëjnë të ditur mediat italiane për 5 nga të arrestuarit është dhënë masa e sigurisë arrest me burg, ndërsa për 4 të tjerë arrest shtëpie.
Gjithashtu janë sekuestruar sasi të mëdha drogë, 3750 kilogramë marijuanë, 50 kilogramë hashash, 1 kilogram kokainë dhe 1 kilogram heroinë.
Mësohet se grupi e siguronte drogën në Shqipëri. Sapo e merrte lëndën narkotike në territorin italian, fillonte shpërndarja nga anëtarët e bandës. Mediat italiane se në këtë operacion pati bashkëpunim edhe nga policia shqiptare./tvklan.al