Xhaxhai dhe nipi janë vrarë në Kurjan të Fierit nga një 49-vjeçar me armë kallashnikovi. Viktimat janë Gramos dhe Lavdimir Kurtaj, ndërsa autori Altin Kuka. Pas krimit, autori është vetëdorëzuar, ndërsa djali i tij dhe një shok është arrestuar në tentativë arratisje në aksin Fier-Berat.
Ngjarja ka ndodhur në një lokal fshati rreth orës 14:00 të së martës. Korrespondentja e Klan News, Anila Sefa ka mësuar se autori i krimit kishte shkuar të “sqaronte” një debat për motive të dobëta që kishin bërë disa ditë më parë djali i tij dhe njëri nga viktimat.
Me vete kishte dhe armën kallashnikov, të cilën e mbante pa leje. Pak minuta pas bisedës mes xhaxhait dhe nipit, autori ka qëlluar drejt tyre brenda ambienteve të lokalit. Fatmirësisht nga plumbat nuk ka persona të tjerë të lënduar.
Korrespondentja e Klan News, Anila Sefa ka mësuar se viktimat, Gramos Kurtaj dhe Lavdimir Kurtaj janë vëllezër gjaku, mirëpo njëri prej tyre është dhuruar tek xhaxhai, ndaj janë të regjistruar në Gjendje Civile si xhaxha dhe nip./tvklan.al