Pajisja me laborator virtual e të gjitha shkollave në kryeqytet po ndihmon nxënësit të jenë më aktiv dhe krijues në orët mësimore ku vihet në punë video projektori. Në gjimnazin “Partizani” mësuesit dhe nxënësit kanë zgjedhur punën në grupe dhe laboratorët virtual për të bërë përsëritjen e kapitujve të disa lëndëve. Drejtoresha e kësaj shkolle, shprehet se ora që zhvillohet me video projektor, është më e dashur me nxënësit.
Luljeta Basha: “Mësueset e lëndëve të ndryshme në një kapitull ose në disa kapituj të cilët kanë lidhje me njëri-tjetrin, i organizojnë nxënësit, i nxisin që ata të mbledhin materiale, të punojnë vetë në mënyrë që të gjitha ato që kanë mësuar në klasë të jenë shumë më të vlefshme ose të ngelen në kujtesën e tyre shumë më mirë sesa një mësim standard apo klasik siç jemi mësuar deri tashti”.
Edhe lënda e fizikës që është e vështirë për disa nxënës dhe e ngarkuar plotë shifra, me teknologjinë e re bëhet më e lehtë dhe e kuptueshme për këta nxënës.
Nxënësja: “Mendoj se për të gjithë shokët e mi është bërë më e kuptueshme ora e mësimit në trajtën e temës me video projektor”.
Nxënësi: “Kjo na ndihmon neve që ato njohuri që ne kemi marrë nga lëndët, t’i përvetësojmë edhe t’i kuptojmë në praktikë, t’i kuptojmë në pamjen vizuale”.
Nxënësi: “Ndoshta dhe për atë që nuk e kupton orën e mësimit është më e kuptueshme dhe më interesante sigurisht, më tërheqëse”.
Të gjitha shkollat e vendit do të pajisen me laborator virtual që do të shërbej për ta bërë lëndën sa më të lehtë dhe argëtuese. Shpërndarja e laboratorëve nga ana e Ministrisë së Arsimit ka vijuar dhe në qytetet Lushnje, Lezhë, Vlorë e Fier./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami
Operator: Petrit Xhaferri