Një ditë pas deklaratës së ministrit të Arsimimit Myqerem Tafaj, për tërheqjen e librit të historisë XII, një urdhër i tillë nuk ka mbërritur ende në drejtoritë e shkollave. Të gjitha gjimnazet që kanë zgjedhur këtë botim vazhdojnë të bëjnë mësim ende me tekstin e shumë kontestuar.
Luljeta Basha: “Ne presim urdhra nga ministria apo nga drejtoria jonë Arsimore në qoftë se do bëhen ndryshime apo do tërhiqet krejt teksti. Është e drejta e tyre që të bëjnë të tilla lëvizje, ne pastaj bindemi, por njëherë për njëherë nuk kemi asnjë njoftim. Ma merr mendja se gjithë teksti është i studiuar, i punuar. Përderisa është përzgjedhur nga 6 apo 7 mësues të Histori-Gjeografisë që unë kam në shkollë, ata kanë menduar që ka goxha vlera. Kështu që çfarë e pengon bërjen mësim një kapitull edhe sikur ai kapitull të ketë probleme.”
Teksti i Historisë XII shkaktoi shumë debate mes specialistëve për deformimin e fakteve historike në periudhën e pas viteve 90, duke i dhënë atij ngjyrime politike. Por jo vetëm kjo pjesë në librin e historisë është për tu korrigjuar, pasi gabime ka edhe periudhën e Luftës së Dytë Botërore./tvklan.al