Këtë vjeshtë nxënësit në qytetin finlandez të Riihimaki u kthyen në shkollë me çanta shpine plot me libra e fletore. Këtë vit nxënësit kanë braktisur laptopët dhe pajisjet e tjera dixhitale në klasë.
Sistemi arsimor publik i Finlandës është i njohur në botë për suksesin e tij në dekadat e fundit dhe gatishmërinë e tij për të provuar teknikat e reja të mësimdhënies.
Deri vonë, shumë shkolla u jepnin laptopë falas të gjithë nxënësve që në moshën 11-vjeçare. Por prindërit dhe mësuesit finlandezë, si kudo tjetër në botë janë bërë gjithnjë e më të shqetësuar për ndikimin e pajisjeve digjitale tek fëmijët.
Kështu që në Riihimaki, një qytet me rreth 30,000 banorë 70 km në veri të Helsinkit, i cili që nga viti 2018 kishte ndërprerë përdorimin e shumicës së librave në shkollat e mesme, autoritetet po përpiqen të bëjnë diçka ndryshe për fillimin e këtij viti akademik, t’i kthehen stilolapsit dhe letrës.
Maija Kaunonen, mësuese e gjuhës angleze në shkollën e mesme Pohjolanrinne, thotë se megjithëse nuk ishte kundër pajisjeve dixhitale, ajo është e lumtur për rikthimin e librave.
“Jam e lumtur për ndryshimin. Nuk jam aspak kundër materialeve dixhitale, i kam përdorur prej shumë e shumë vitesh, por, para së gjithash nuk më kanë bërë përshtypje pajisjet dixhitale. Nuk ishin mjaft të mira, mendoj unë, për qëllime mësimore. Librat i bëjnë të rinjtë të përqendrohen më shumë gjatë mësimeve dhe ka më pak shpërqendrime me librat, dhe mendoj se është shumë më mirë.”
Ajo rrëfen problematikat që ndeshte kur fëmijët përdornin pajisje digjitale gjatë orëve të mësimit.
“Shumica e nxënësve mendoj se thjesht i bënin ushtrimet sa më shpejt që të mundeshin në mënyrë që të kalonin kohë në lojëra dhe biseda në mediat sociale e kështu me radhë. Dhe atyre iu duhej fare pak kohë për të ndryshuar faqet në internet. Kështu, kur mësuesi iu afrohej atyre, ata mund të thoshin, ‘po, po bëja këtë ushtrim’ por shumica e nxënësve po i përdornin laptopët për lojëra dhe gjëra të tilla. Pra, kishte shumë shpërqendrime.”
Përveç mësuesve, edhe nxënësit janë të lumtur me ndryshimet e reja.
“Është një gjë mjaft e bukur sepse aftësia për t’u përqendruar përmirësohet dhe gjithashtu, për shembull, nëse duhet të bëni detyrat e shtëpisë vonë natën, është më e lehtë të flini kur s’keni kaluar kohë në ekran.”
“Ndoshta kur përdornim më shumë Chromebook, ndonjëherë shkoja në uebsajte të ndryshme. Nuk fokusohesha gjithmonë në gjërat thelbësore.”
“Mund të përqëndrohem më mirë. Dhe të bërit e detyrave të shtëpisë është më e lehtë sepse nuk më duhet të mbështetem tek një pajisje digjitale për ta bërë këtë. Sa i përket të shkruarit, është pak e lodhshme por mëson më shpejt.”
Minna Peltopuro, me profesion psikologe thotë se koha e shpenzuar në ekran duhet të reduktohet në minimum.
Aktualisht adoleshentët finlandezë kalojnë deri në gjashtë orë në ditë kohë në ekran. Për të, përdorimi i tepruar i pajisjeve dixhitale vjen me rreziqe fizike dhe mendore dhe shkakton probleme të tilla si problemet me sytë dhe ankthi në rritje.
“Koha totale duhet të jetë minimale, pra jo orë të tëra para ekranit, por diçka më pak. Dhe një tjetër është multitasking. Dua të them që ju jeni duke bërë një ushtrim në kompjuter dhe pastaj shkoni të kontrolloni Instagramin, a ka ndonjë mesazh? Dhe pastaj i kthehesh matematikës dhe më pas shkon në Snapchat dhe më pas i kthehesh matematikës dhe e sheh që, ok, nuk mund ta bëj këtë pa asnjë udhëzim. Dhe ju shkoni në një faqe tjetër te kompjuteri për të gjetur udhëzimet dhe për t’u kthyer në matematikë e kështu me radhë. Pra, truri është shumë i prekshëm kur je duke bërë shumë gjëra në një kohë veçanërisht në një moshë të re. Kështu që ata nuk mund ta menaxhojnë mirë.”
Në të gjithë Finlandën, rezultatet e të mësuarit të fëmijëve kanë rënë në vitet e fundit, duke e shtyrë qeverinë të planifikojë një legjislacion të ri për të ndaluar përdorimin e pajisjeve personale, si telefonat, gjatë orëve të shkollës për të shkurtuar kohën e fëmijëve para ekranit.
Klan News