Sipas gazetarit Armand Shkullaku, Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë do ndikojë te faktori shqiptar në rajon. Ai del në këtë përfundim nisur nga mandati i tij i parë si President, kur administrata e Trump anonte nga Beogradi, në raport me Kosovën.

“Gjatë kohës së administratës së Trump, ne pamë që në dialogun Kosovë-Serbi i bëri llogaritë shkurt. Kur Evropa nuk ka vend në fushatën e tij, imagjino çfarë rëndësie i jep Kosovës. Një anim fare të qartë të kësaj administrate ndaj Beogradit, Vuçiç e uroi në një kohë me Ramën Trumpin se do ketë më shumë akses në Shtëpinë e Bardhë dhe një avantazh në raport me Kosovën. Është rrezik sepse në atë kohë kur diskutohej ndarja e Kosovës, tradita e republikanëve ka qenë Gjermania e nominuar për t’i zgjidhur. Nuk është marrë vetë drejtpërdrejt, nxjerrja nga loja e Berlinit zyrtar ishte tërësisht arrogant për t’i dhënë zgjidhje konfliktit në Ballkan pavarësisht kostove tona. Për mua do jetë situatë e vështirë.”

Madje, gazetari paralajmëroi edhe shanset për një skenar të frikshëm sa i takon veriut të Kosovës.

“Nëse në tryezën e të mëdhenjve diskutohet paqja në Ukrainë, Trump mund t’i këpusë dhe një vijë Kosovës dhe t’ia kalojë Serbisë. Do bëhej për pak nëse s’do kishte pasur rezistencë nga pala shqiptare dikur.”

Ndërsa në Shqipëri, Shkullaku thotë se nuk do ketë ndonjë ndikim. Ai bën dhe batutën që “do na ikë Sazani”.

/tvklan.al