Gazetari Armand Shkullaku është i mendimit që fitorja e Donald Trump është një hap mbrapa për demokracinë.

Sipas tij, zgjedhja e Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë do të ndikojë tek forcat e ekstremit të djathtë jo vetëm në SHBA, por edhe në Europë.

Për këtë të fundit, sipas Shkullakut, gjatë mandatit të Trump parashikohen vite të errëta.

“Mendoj që për demokracinë është një hap mbrapa. Është një fenomen i ri që ndodh. Sigurisht që edhe kjo kërkon analizë sepse demokracitë neoliberale kanë hyrë në një krizë prej vitesh, siç kemi devijime në Hungari, në Francë, Melonin në Itali. Forcat e ekstremit të djathtë që deri dje nuk mendohej të ishin konkurruese për pushtet dhe jo më ta merrnin atë. Mendoni tani që pas fitores së Trump se çfarë impakti do të ketë tek këto forca që unë i quaj forca regresive për demokracinë si në Europë si në SHBA…

Europa të paktën sot, Macron dhe Scholz kanë biseduar për të marrë masa për të pasur një BE sa më të pavarur në raport me SHBA ku futet sistemi i mbrojtjes dhe sistemi ekonomik, sepse gjatë 4 viteve të Trump parashikohet një vit i errët edhe për Bashkimin Europian”, tha Shkullaku gjatë një interviste për Klan News.

Për fitoren e Trump ka komente të ndryshme, teksa një pjesë e elitës në Amerikë e quan një katastrofë rizgjedhjen e tij.

“Pra po shikojmë që ka marrë pushtetin një personazh që për herë të parë në historinë e SHBA ka kontestuar një rezultat dhe ka tentuar të përdorë forcë për të mos ikur nga Shtëpia e Bardhë. Një individ që theu për herë të parë traditën amerikane të urimit të fitores së kundërshtarit politik. Që ngriti idenë që në Amerikë zgjedhjet vidhen dhe manipulohen. Të një personazhi që nëpërmjet mediave dhe një ndikimi të madh që edhe Elon Musk nëpërmjet platformës X pati me fake news dhe krijimin te amerikanët të një psikoze që zgjedhjet mund të manipulohen, që Kamala Harris për shkak të origjinës së saj mund të jetë dikush që ta çojë Amerikën drejt shkatërrimit”, tha Shkullaku.

Sipas Shkullakut ekonomia ka qenë një nga armët më të forta të Trump në këto zgjedhje ndërkohë që nuk la pa komentuar as argumentet se gjatë qeverisjes së tij nga 2017 deri në 2021 nuk pati luftëra.

“Jo çdo fakt lidhet me një politikë të caktuar. Për shembull edhe ne të dy flasim në studio dhe jashtë është kohë me diell, por do të ishte kohë me diell edhe po mos të flisnim ne në këtë studio.

Është shumë e thjesht që ta ndash përgjegjësinë e udhëheqjes globale amerikane që shiko gjatë Biden kemi luftëra dhe gjatë Trump nuk kishim luftëra se nuk është kaq e thjeshtë. Ato luftëra janë pasojë e një politike të caktuar që është ndjekur përpara dhe që jep rezultat në një moment të caktuar”, shtoi Shkullaku./tvklan.al