Drejtori i burgut 313 është vënë në pranga mesditën e së premtes me akuzën e korrupsionit. Eduard Struga dyshohet se ka nënshkruar një kontratë për dhënien në përdorim të dyqanit brenda burgut 313 kundrejt një shume monetare, duke favorizuar një subjekt. Bashkë me zyrtarin e lartë të burgjeve mësohet se është ndaluar edhe shefi i logjistikës së burgut, si dhe përfaqësuesi i firmës që do të përfitonte nga kjo skemë korruptive.
Struga mbante postin e drejtorit të burgut prej disa muajsh, ndërsa në të kaluarën ka mbajtur edhe poste në Policinë e Shtetit. Struga fillimisht u shoqërua në Drejtorinë e Tiranës, por u vu në pranga pas urdhrit të lëshuar nga Prokuroria Speciale.
Në një njoftim zyrtar të Prokurorisë Speciale thuhet se shefit të logjistikës iu sekuestrua edhe një shumë prej 100 mijë lekësh, që e kishte përfituar në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu zyrtarët e lartë të burgjeve kanë marrë rreth 550 mijë lekë për të lejuar aktivitetin tregtar në ambientet e brendshme të institucionit që ata drejtojnë. Sakaq, hetimet për këtë rast të dyshimtë korrupsioni po vijojnë dhe mendohet se ka edhe persona të tjerë të përfshirë.
Tv Klan