Autoritetet greke kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të tërmeteve të vazhdueshme në ishullin e njohur të Santorinit.
Gjendja e jashtëzakonshme do të jetë në fuqi deri më 1 Mars, thuhet në njoftimin e autoriteteve të mbrojtjes civile, pasi lëkundjet vazhdojnë të tronditin zonën, duke rritur rrezikun e rrëshqitjeve të dheut dhe të gurëve.
Vetëm natën e së mërkurës, 6 tërmete me magnitudë 4 u rregjistruan në zonën detare rreth Santorinit, të ndjekur nga një goditje më e fortë prej 5.2 në jug të Amorgos. Aktiviteti intensiv sizmik po dëmton edhe banorët që kanë vendosur të qëndrojnë aty.
Më shumë se 11,000 njerëz janë larguar tashmë nga Santorini, me rreth 7,000 që janë nisur me traget dhe 4,000 njerëz me avion.
Deri më tani nuk janë raportuar dëme të mëdha në ishull, por autoritetet po marrin masa paraprake dhe po kujdesen në rast se goditet nga një tërmet më i madh. Shkollat në Santorini dhe ishuj të tjerë fqinjë duke përfshirë Anafi, Paros, Naksos dhe Mikonos do të qëndrojnë të mbyllura deri të premten, kur autoritetet do të marrin një vendim se kur mund të rihapen.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis pritet të vizitojë Santorinin të premten.
Santorini mirëpret miliona turistë çdo vit, por aktualisht nuk është kulmi i sezonit turistik, që do të thotë se banorët dhe punëtorët vendas përbëjnë shumicën e të evakuuarve.
Klan News