Pas hyrjes në banesat e reja në lagjen 5 Maji, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shpërndau certifikatat e pronësisë për familjet e prekura nga tërmeti i 2019.

“Kjo tregon çfarë fuqie kanë njerëzit kur bashkëpunojnë dhe kur i shtrohen punës për të transformuar jetët e njerëzve. Ja ku jemi sot: pallatet janë të vërteta, njerëzit janë të vërtetë dhe certifikatat e pronësisë janë të vërteta. Unë nuk besoj që shteti është i majtë ose i djathtë, unë besoj se shteti është në shërbim të njerëzve. Ky është shteti ynë, kjo është qeveria jonë, kjo është bashkia jonë, këto janë punëtorët tanë, kjo është administrata jonë. Shteti është i shqiptarëve dhe Tirana është e qytetarëve.”

Veliaj theksoi vendosmërinë e tij për të çuar përpara projektet transformuese të Tiranës.

“Ku janë sot? Ku janë ata që përçanin njerëz? Ku janë sot ata që mbillnin helm në komunitet? Jam më i vendosur se kurrë që ta mbaroj “5 Majin”, Kombinatin, të mbarojë Bulevardi i Ri, të bëhet Kopshti Botanik, të bëjmë shkollat e reja te Astiri. Kur të shkruhet historia e këtij qyteti, asnjë nuk do t’i mbajë mend bllokuesit. Nuk do të ketë asnjë faqe, asnjë rresht, asnjë germë në historinë e Tiranës për ata që na bllokuan, do harrohen.”

Për kreun e Bashkisë, transformimi i çerdheve, kopshteve, apo hapësirave të tjera me funksion komunitar është rezultat i politikave sociale të Bashkisë së Tiranës.

Tv Klan