Ecja e nuses drejt altarit e shoqëruar nga babai është një nga momentet më të bukura të një ceremonie martesore. Ky ritual duhet të përsëritet disa herë përpara ditës së madhe që gjithçka të jetë perfekte.

Por babai i një vajze duket se ia ka dalë të provojë të kundërtën pasi shkoi drejt altarit pa vajzën.

Në  një video të shpërndarë në The Yorkshire Post, Neil Crossley niset drejt altarit dhe thuajse mbërrin kur dikush i afrohet dhe i tregon për gabimin që kishte bërë.

“Po mendoja, asgjë s’mund të shkojë keq me këtë pjesë”, tha 60-vjeçari për BBC Radio Sheffield. “S’ia kisha idenë se ç’do të ndodhte”.

Teksa ai kthehet për të marrë nusen, kamera tregon dhëndrin që shpërthen në të qeshura bashkë me të tjerët. Disa sekonda më vonë, nusja shfaqet krah të atit dhe momenti gazmor shndërrohet në një emocion të vërtetë.

Nusja, Amy Totty tha se edhe ajo ndihej nervoze për ditën e madhe, por gabimi i të atit theu akullin.  “Është një kujtim i veçantë që s’do ta harrojmë dhe do të qeshim edhe në vitet që do të vijnë”, u shpreh ajo./tvklan.al