Një grua 71-vjeçare ka mbetur e lënduar pasi një bombol gazi ka shpërthyer në banesën e saj. Ngjarja ka ndodhur rreth orë 10:30 të mëngjesit të ditës së sotme në lagjen numër 5 në Pogradec.
E moshuara ka mbetur e lënduar si pasojë e shpërthimit dhe është dërguar me urgjencë në spitalin e Pogradecit, ku po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor.
“Rreth orës 10:30, në lagjen nr.5 Pogradec, në banesën e shtetases E. P., 71 vjeçe, dyshohet se ka shpërthyer një bombol gazi. Si pasojë e shpërthimit është dëmtuar 71-vjeçarja, e cila aktualisht po merr mjekim në spitalin e Pogradecit, jashtë rrezikut për jetën,” thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkaq korrespondentja e Klan News, Daniela Zisi ka raportuar se lagjia nr,5 ku ka ndodhur shpërthimi është një nga lagjet më të populluara të qytetit, pasi ka dhe shumë biznese përreth. Por sipas informacioneve, fatmirësisht nuk ka patur kalimtarë dhe persona të tjerë të lënduar.
Siç mund të shihet edhe nga pamjet e siguruara shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm, saqë dritaret e banesës kanë “fluturuar” në rrugë. Banorët shprehen të shqetësuar dhe thonë se shpërthimi ka qenë aq i fuqishëm sa ngjasonte me një tërmet.
“Shpërthimi ishte shumë i fuqishëm, sikur ra tërmet. U dëgjua shumë zhurmë, ne thamë se u shemb ndonjë mur. Kur erdha e gjeta zjarrfikësen këtu,” ka thënë për gazetarët një qytetar./tvklan.al