Banorët e kryeqytetit janë tronditur nga një shpërthim i fuqishëm mesditën e kësaj të hëne. Një bombol gazi shpërtheu në një dyqan eventesh, që ndodhet në rrugën “Vaso Pasha”, në zonën e ish-Bllokut.

Sipas policisë nga ngjarja kanë mbetur të plagosur 4 persona, të cilët janë transportuar drejt spitalit.

“Rreth orës 13:15 në rrugën “Vaso Pasha” në ambientet e një dyqani eventesh ka shpërthyer një bombol gazi. Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar shtetasit S. P dhe A. P, E. N dhe D.S të cilët u dërguan në spital për ndihmë mjekësore. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, tha Policia e Tiranës në një njoftim paraprak për mediat.

Siç mund të shihet në këto pamje të përcjella nga tvklan.al, si pasojë e shpërthimit dëmet janë të shumta, ndërsa shtëllungat e tymit mbuluan pallatin që ndodhej sipër.

Forca të shumta policore, me të shkuar në vendngjarje rrethuan zonën, ndërsa shërbimet e zjarrfikëses vunë nën kontroll flakët./tvklan.al