Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Një furgon ka shpërthyer nga një sasi eksplozivi, duke terrorizuar banorët e Unazës së Re dhe forcat speciale të vendosura prej ditësh në këtë zonë. Furgoni me shoferë A. S. dhe me targa të bardha ka shpërthyer në momentin që po lëvizte në itinerarin e përditshëm në rrugën e Unazës së Madhe.

Furgoni ka fluturuar në ajër dhe është ndarë në dy pjesë ndërsa drejtuesi mjetit A. S. 34-vjeç është plagosur rëndë. Drejtuesi i mjetit ka qenë i vetëm në furgon dhe pa pasagjerë. Me gjithë shpërthimin dhe përplasjen, 34-vjeçari ka mbijetuar dhe është dërguar menjëherë në spital me djegie të shumta.

Qytetari: “Dëgjuam një krisje të madhe shumë, kur shikojmë kështu lartë pamë llamarinat me një fjalë të furgonit që fluturojë sipër, nuk e ditëm për momentin, kur erdhëm këtu, e gjetëm një njeri duke bërtit me një fjalë dhe bashkë një shok i joni me policin e kapi menjëherë dhe e vunë në makinë.”

Ekspertë në vendngjarje ka konstatuar se shpërthimi ka ardhur si pasojë e një lënde eksplozive e cila ishte vendosur pranë sedijes së drejtuesit por janë shprehur se do të jetë ekspertiza e mëtejshme që do të japë detaje mbi rrethanat e shpërthimit dhe llojin e lëndës eksplozive.

Asnjë variant nuk është dhënë në orët e para pas shpërthimit nga policia mbi motivet e tij. Familja Sdikaj është shprehur se nuk ka ndonjë hasmëri dhe gjithashtu shoferi i plagosur nuk ka ndonjë konflikt që mund t’i kërcënonte atij jetën. Dëshmitarët dhe njëkohësisht të shokuar nga ngjarja kanë mbetur forcat speciale të vendosura pranë Unazës së Re për të siguruar rend, pas trazirave në këtë zonë për shkak të prishjes së ndërtimeve pa leje./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj