Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer në zonën naftëmbajtëse të Marinzës. Shkaku i këtij zjarri ka qenë shpërthimi i një fontane të pusit numër 10, gjatë kohës kur specialistët e puseve po kryenin procesin e manovrimit për ta vënë në eficencë.

Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Një punëtor i agregatit, i quajtur Nikolla Toromëni 50 vjeç, i ndodhur më afër grykës së pusit është përfshirë nga flakët. Ndërhyrja në kohën e duhur të shokëve të tjerë e ka shpëtuar atë nga vdekja e sigurt. Edhe pse plagët nuk ishin rrezik për jetën, ai është çuar me urgjencë në spitalin e Fierit dhe më pas është nisur për në Tiranë, për një mjekim më të specializuar.

Ndërkohë është njoftuar edhe reparti i zjarrfikës i Fierit i cili ka mbërritur në vendngjarje, por flaka e fuqishme që dilte nga pusi me presion e bëri të pamundur fikjen e tij. Në ndihmë të zjarrfikësve të Fierit kanë mbërritur me urgjencë të tjera zjarrfikëse nga rrethet Lushnje, Vlorë dhe Ballsh, por me gjithë përpjekjet koordinuese të tyre, flakët nuk janë shuar dhe pas 15 orësh punë. Dëmtime ka pasur në pajisjet elektrike të këtij pusi./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj