Shpërthimi i një vullkani të madh nën ujë pranë ishullit Tonga ka sjelle paralajmërimin e autoriteteve amerikane, japoneze dhe të Zelandës së Re për rrezikun e një cunami në oqeanin Paqësor.
Ato kanë këshilluar qytetarët që të largohen nga zonat bregdetare. Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern tha se varkat dhe mjetet e mëdha lundruese janë ankoruar për të shmangur çdo rrezik të mundshëm.
Ardern tha se Zelanda e Re po përgatitet për të dërguar një ekip të flotës ajrore për të parë nivelin e dëmeve pasi deri tani ka pasur raporte për viktima dhe dëme në Tonga.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se Uashingtoni ishte gati për të dërguar mbështetje. Videot e publikuara në rrjetet sociale tregojnë se si uji përfshin banesat ndërsa njerëzit përpiqen që t’i largohen vërshimit.
Shpërthimi i vullkanit është dëgjuar në të gjithë Paqësorin Jugor deri në SHBA, kurse në Japoni është regjistruar një cunami me 1.2 metra lartësi në ishullin Amami-Oshima.
Tonga, një vend në Polinezi përbëhet nga 169 ishuj nga të cilët 36 janë të banuar. Në total ajo ka një popullsi prej rreth 105 mijë banorë.
Klan News