Policia ka dalë me një njoftim zyrtar sa i takon shpërthimit masiv të ndodhur pasditen e sotme në një zonë industriale në Lushnje. Mësohet se ngjarja ka ndodhur fiks në orën 16:05 tek “Rrethrrotullimi i Plasmasit” në një kapanon në ndërtim, ku një vinç ka prekur aksidentalisht linjën e tensionit të lartë.

Për pasojë ka ndodhur shpërthimi i fuqishëm duke i marrë jetën një punëtori i quajtur Roland Hoxha dhe duke plagosur 8 të tjerë, mes tyre dhe deputetin Bujar Çela. Ky i fundit ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën dhe raportohet se është pronari i objektit që po ngrihej.


“Rreth orës 16:05 në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plasmasit”, në një kapanon në ndërtim dyshohet se gjatë punës, një vinçier duke drejtuar një vinç, aksidentalisht ka prekur linjën e tensionit të lartë dhe për rrjedhojë ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm. Si pasojë e shpërthimit ka humbur jetën shtetasi R.H, dhe janë plagosur 8 shtetas mes tyre dhe deputeti B. Ç., të cilët ndodhen në spital për ndihmë mjeksore. Menjëherë nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier dhe Komisariati i Policisë Lushnjë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të shpërthimit”, raporton Policia.


Por pasojat e kësaj tragjedie do të thelloheshin më tej kur policia njoftoi po ashtu vdekjen e djalit të Rolandit, Elidon Hoxhës. Po ashtu i dëmtuar nga shpërthimi pasi gjendej me të atin në vinç, ai u dërgua në Spitalin e Traumës, por nuk mbijetoi dot.

“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e sotme, në një kapanon në ndërtim, Lushnjë, ju informojmë se ka ndërruar jetë dhe shtetasi i dëmtuar nga shpërthimi, shtetasi Elidon Hoxha. Në momentin e shpërthimit ndërroi jetë shtetasi Roland Hoxha, dhe u plagosën tetë shtetas. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Fier, vijon veprimet për zbardhjen e motiveve dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje”, njoftoi policia./tvklan.al