Saimir Bena, 37 vjeç, nuk ka mundur t’u rezistojë plagëve të marra nga shpërthimi i fuqishëm që ndodhi rreth orës 4:15 minuta të mëngjesit në Metalurgjikun e Elbasanit.

Ai ka mbyllur sytë rreth orës 13:00 të mesditës, ndërsa bashkëpronari i subjektit privat ku ai po punonte, Rifat Sula, 48 vjeç, ndodhet në gjendje kritike për jetën në spital.

Ndihma e parë e të plagosurve u është dhënë në spitalin e Elbasanit. 37-vjeçari Bena ishte djegur në 50% të trupit.

Mjekët kanë kërkuar një helikopter për dërgimin e tij me urgjencë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, por askush nuk i është përgjigjur thirrjes së tyre.

Sjellja e tij me ambulancë për në Spitalin Ushtarak ka qenë e kotë. Si në çdo qytet tjetër edhe në Elbasan bluzat e bardha janë përballur jo vetëm me gjendjen e rëndë të pacientëve, por edhe me mungesën totale të medikamenteve mjekësore.

Turni i natës i ka blerë vetë ilaçet për t’u ardhur në ndihmë dy të plagosurve, ndërkohë mësohet se 48-vjeçari, Rifat Sula, ndodhet në gjendje kritike për jetën në Spitalin Ushtarak.

Ngjarja e rëndë me pasojë humbjen e një njeriu ndodhi paraditen e së shtunës./tvklan.al