Shprehja e dashurisë për disa mund të jetë më e lehtë, për disa një mision i pamundur, një proces kompleks dhe njëkohësisht plot emocion. Por format nga viti në vit kanë pësuar ndryshime dhe thuajse asgjë nuk ka mbetur nga e shkuara.

Duket se nuk ka mbetur asgjë nga letrat e parfumosura, të shkruara nën dritën e qirinjve dhe nuk ka më as këngë romantike që këndoheshin poshtë ballkoneve.  

Në të gjithë botën letrat janë forma më e përhapur që historia e dashurisë ka njohur. Sot çdo femër do ta donte një letër dashurie, gjë të cilën e tregojnë librat e shitur me këto tema. Por nuk ka më mesazher që çojnë deklarata dashurie, të cilët udhëtonin me kuaj nga skaji në skaj.

Dashuria apo pëlqimi vazhdon t’i mbajë njerëzit gjithnjë të angazhuar në lidhje dashurie, herë që zgjasin dekada e herë vetëm disa vite. Në të kaluarën të dërgoje sinjale dashurie mund të ketë qenë shumë e vështirë, ndërsa sot format e komunikimit janë të pafundme. Bota është më e vogël dhe njerëzit janë më afër.

Sot nuk ka më njerëz që u buzëqeshin vajzave në bulevard, pasi ka Facebook. Sot nuk ka më njerëz që fishkëllejnë poshtë pallateve, pasi ka SMS që shkojnë më shpejt se zëri. Sot nuk ka më njerëz që thonë fjalë të mira për ty, pasi ka Twitter dhe mund të ndjekësh këdo.

Për të diskutuar mbi evoluimin e shprehjes së dashurisë në emisionin “Opinion” ishin të ftuar shkrimtarja Flutura Açka, psikologu Luan Hajdaraga, shkrimtari Preç Zogaj, gazetarja Sonila Meço, përkthyesja Elona Varfi dhe prezantuesja Alisa Braho./tvklan.al