Shqipëria dhe Italia nënshkruan protokollin e zbatimit të marrëveshjes së ripranimit të personave me qëndrim të paautorizuar.
Përpara nënshkrimit të këtij protokolli përfaqësuesi i palës italiane, Alfredo Mantovano, nënsekretar në Ministrinë e Brendshme të Italisë, u prit në një takim të veçantë nga Ministri i Brendshëm, zoti Bujar Nishani.
Më pas takimi vijoi me nënshkrimin e protokollit të ripranimit nga zv/Ministri i Brendshëm, zoti Gent Strazimiri, dhe nënsekretari në Ministrinë e Brendshme të Italisë, Alfredo Mantovano.
Alfredo Mantovano: “Shqipëria ka bërë dhe po bën hapa përpara jo vetëm në zhvillimin ekonomik dhe social, por dhe në luftën kundër të gjitha llojeve të trafiqeve. Kjo është dëshmi se tashmë Shqipëria po lufton me sukses edhe trafikun e qenieve njerëzore përmes kanalit të Otrantos pa ndihmën e Italisë. Firmosja e këtij protokolli është konfirmim i bashkëpunimit dypalësh, gjë që u konfirmua edhe nga takimi që ministri Fratini me kryeministrin Berisha që tregon edhe një herë marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Italisë.”
Gent Strazimiri: “Është një hap përpara në bashkëpunimin midis dy vendeve, midis dy strukturave të zbatimit të ligjit në të dyja brigjet e Adriatikut. Nuk është i vetmi rezultat bashkëpunimi dhe shembulli pozitiv që ne kemi, përkundrazi. Kemi rezultate jashtëzakonisht të mira në tre vitet e fundit, veçanërisht dhe në kuadrin operacional dhe rezultate natyrisht të dhënë goditjet konkrete kundër krimit të organizuar”.
Ky protokoll mbështetet në marrëveshjen përkatëse midis dy vendeve dhe në marrëveshjen për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar mes Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian, nënshkruar në Luksemburg më 14 Prill të vitit 2005./tvklan.al