Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë.
Memorandumi është nënshkruar nga Ministri kosovar i Shëndetësisë, Alush Gashi, dhe homologia e tij shqiptare, Anila Godo.
Ministrja Godo, e cila po qëndron në një vizitë dyditëshe në Kosovë, e shoqëruar edhe nga ministri Gashi, ka takuar sot presidentin Fatmir Sejdiu, dhe kryeministrin Hashim Thaçi.
Godo tha se bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e shëndetësisë është shumë i rëndësishëm.
Anila Godo: “Pacientët tanë, për qytetarët tanë që flasin një gjuhë dhe janë të një gjaku kufijtë shtetërorë nuk duhet të ekzistojnë. Kjo ka qenë dhe ka ekzistuar një bashkëpunim mjaft i mirë në planin e trajtimit të ndërsjellë të pacientëve kosovarë në Tiranë ose të pacientëve tanë të veriut të Shqipërisë në Gjakovë, Prizren dhe Pejë. Ky bashkëpunim të thellohet dhe të jetë në ato nivele që kërkon reformimi i shëndetësisë në të dy vendet”.
Ngjashëm u shprehën edhe liderët institucionalë të Kosovës.
Fatmir Sejdiu: “Me rëndësi është që të dy ministritë dhe qeveritë kanë intencën e përbashkët të krijojnë, të stimulojnë dhe të mbështesin vlerat drejt jetesës me standardet më të larta ndërkombëtare”.
Hashim Thaçi: “Bashkëpunimi mes dy qeverive tona është një bashkëpunim i shkëlqyeshëm në të gjitha sferat institucionale, prandaj unë dëshiroj që edhe ministreshën edhe ministrin t’i përshëndes dhe t’u uroj bashkëpunim edhe më të thellë, një bashkëpunim edhe më efektiv në mënyrë që të dy vendet tona të kenë shëndetësi bashkëkohore.”
Ministrja Godo ka vizituar dhe qendrën klinike universitare të Kosovës, memorialin e ish-presidentit, Ibrahim Rugova dhe kullën e familjes Jashari në Prekaz te Drenicës./tvklan.al