Presidenti Duka për mediat italiane: Asllani një Modriç i vogël, Gjimshiti një lider në fushë

Kombëtarja shqiptare zyrtarizoi katër miqësoret e luksit para pjesëmarrjes në Euro2024. Kuqezinjtë do të masin forcat me kundërshtarë si Kili dhe Suedia në muajin mars, ndërsa pak ditë para turneut gjerman do sfidojnë Lihtenshtejnin dhe Azerbajxhanin.

Rival ku trajneri Silvinjo do të përcaktojë ndoshta edhe lojtarët që do të përzgjedh për në Kampionatin Europian. Forma fizike e lojtarëve është ajo ku do fokusohet stafi teknik, me presidentin e FSHF, Armand Duka që shpreson të jetë e mirë. Në një intervistë për “Sport Italia”, Duka beson se Shqipëria ka forcën për të bërë surprizën në Europian.

“Është e kotë të flasësh për forcën e këtyre kundërshtarëve, historia e tyre dëshmon qartë se kush janë. Por unë besoj se ne kemi një skuadër të mirë, kemi shumë cilësi dhe i kemi mundësitë për të tentuar kalimin e grupit. Në futboll surprizat janë të zakonshme tashmë dhe nuk do të ishte çudi nëse Shqipëria kalon grupin. Uroj të kemi të gjithë lojtarët në dispozicion, të jenë në formë të mirë dhe të mos kemi dëmtime. Një gjë është e sigurt: lojtarët do të jenë të karikuar në maksimum për të bërë mirë në këtë turne. Do të kemi dhe mbështetjen e pakursyer të tifozëve tanë fantastikë, të cilët do t’i veshin stadiumet me ngjyrat kuqezi dhe do ta motivojnë shumë Kombëtaren në fushë, ashtu siç bënë edhe në Euro 2016”.

Presidenti i FSHF komentoi edhe performancën e mirë që po zhvillojnë lojtarët kuqezi kryesisht në kampionatin italian.

“Asllani ka punuar shumë për të arritur deri këtu dhe mendoj se e ka merituar plotësisht këtë moment të bukur që po kalon. Ka potencial të jashtëzakonshëm, aftësi të larta teknike dhe cilësitë e duhura për t’u bërë lojtar i madh. Jo më kot unë e kam krahasuar atë me një yll të futbollit. E kam fjalën për Luka Modriç. Kam bindjen që Asllani do të bëhet lojtar i madh. Berat Gjimshiti është kapiten i Kombëtares shqiptare dhe shiritin e ka merituar plotësisht për kontributin e tij të vyer fushën e lojës me fanellën kuqezi. Kumbulla është djalë ambicioz dhe kam bindjen se do të punojë fortë për të rigjetur formën e mëparshme dhe për të qenë gati për finalet e Euro 2024.”
 

Kombëtarja shqiptare është shortuar në të njëjtin grup me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë në Euro2024, kompeticion që do të transmetohet falas dhe ekskluzivisht në TV kombëtar Klan.

Klan News