Shqipëria vijon të mbajë vendin e parë në Europë për numrin e pasagjerëve nga ajri. Në muajin Korrik numri i tyre është rritur me 206.5% duke lënë pas aeroportet e Italisë, Spanjës apo Gjermanisë.
Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve “ACI” në publikimin e fundit evidenton se Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” vijon të kalojë të gjitha pritshmërie për sa i përket fluksit të pasagjerëve në të gjithë Evropën. Në të dhënat e këtyre statistikave vihet re se Aeroporti i Rinasit në Korrikun e këtij viti ka patur rritje të fluksit të pasagjerëve me 206.5% kundrejt vendeve të tjera që janë shumë herë më pas sa i përket këtyre shifrave.
Duke iu referuar shifrave të Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve “ACI”, aeroporti i vendit tonë lë pas edhe aeroporte të mëdha ndërkombëtare si ato të Italisë, Gjermanisë, Spanjës apo dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Gjatë sezonit turistik veror sipas të dhënave zyrtare në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit janë përpunuar pasagjerët e mbi 200 avionëve brenda 24 orëve, çka tregon se ky aeroport është kthyer në një faktor të fluturimeve ajrore në Europë.
Statistikat e fundit të Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve i ka publikuar edhe kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, duke mos lënë jashtë vëmendjes edhe kritikët e turizmit.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Shqipëria kryeson me rritjen e jashtëzakonshme mbi 200% të numrit të pasagjerëve, e cila është pasqyrë shumë e qartë e “boshatisjes” së Shqipërisë nga turistët këtë vit. Është e habitshme po jo edhe aq, që ky sukses i cili po e ngre vazhdimisht imazhin e Shqipërisë në botë, përveçse po sjell vlera të reja të shtuara për ekonominë, disa shqiptarëve mes nesh u acaron nervat dhe u nxjerr nga goja gjithëfarë çudirash.
Më tej Kryeministri Rama thekson se kombësitë nga vendet më të largëta, tregojnë që Shqipëria ishte padiskutim destinacioni i kësaj vere.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Ka prej tyre që thonë se këta miliona njerëz që kanë udhëtuar drejt Shqipërisë këtë vit deri më tani, qenkan të tërë shqiptarë të larguar nga qeveria e poshtër, të cilët vijnë për të parë njerëzit e tyre!!! Po edhe sikur të ishte e vërtetë kjo çudi dhe 4 mijë japonezët, 20 mijë australianët apo 35 mijë kanadezët që kanë zbritur këta muaj nga avionët në Tiranë të jenë të gjithë shqiptarë, pyetja është pse nuk erdhën më parë dhe çfarë i solli këtë vit?
Një ditë më parë Kryeministri Rama bëri të ditur se në muajin Gusht në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” janë përpunuar mbi 1.2 milionë pasagjere duke regjistruar 7.2 milionë të tillë në 8 muajt e parë të këtij viti.
Klan News