Pushimet në Europë për amerikano-latinët janë një ëndërr, por largësia dhe shpenzimet janë ato që kushtëzojnë pjesën më të madhe të tyre.
Por një seri shkrimesh në mediat e kontinentit të largët kanë vendosur ditët e fundit, Shqipërinë në krye të sugjerimeve.
E përditshmja argjentinase “La Nacion” thotë se Parisi, Roma apo Barcelona mund të jetë një sfidë e papërballueshme për buxhetet familjare, por Shqipëria është një destinacion perfekt.
Sipas saj, gastronomia është e pasur, vendi ka plazhe me ujë të kristaltë dhe akomodim të lirë.
Përveç natyrës ajo rekomandon edhe vizitat në muze dhe parqe arkeologjike për të njohur historinë dhe kulturën e vendit.
Në të njëjtën linjë është edhe gazeta “El Pais” e Uruguajit. Sipas saj Shqipëria ka natyrë të egër, me 400 kilometra ujëra blu në detet Jon dhe Adriatik.
Rekomandohet riviera shqiptare, Gjirokastër dhe Berati si pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, të njohur për arkitekturën e tyre osmane të ruajtur mirë me kështjellat mbresëlënëse. Nuk duhen humbur sipas saj as Tirana, Liqeni i Ohrit dhe Thethi.
Ndërsa e përditshmja peruane “La Republika” ka risjellë dëshmitë në rrjetet sociale të blogerëve duke sugjeruar Shqipërinë për akomodimin, ushqimin, atraksionet dhe transportin.
Në shkrim thuhet se Shqipëria është një komb me një histori të pasur, peisazhe të bukura natyrore dhe një kulturë të gjallë duke sugjeruar plazhet, por dhe malet për të kaluar pushimet.
Tv Klan